Çfarë duhet të dijë PD 100 ditë para zgjedhjeve? – REDAKSIONALE

REDAKSIONALE

Kanë mbetur vetëm 100 ditë nga dita e 25 prillit. Shqiptarët do të shkojnë në zgjedhje për të ndryshuar qeverinë dhe për të ristartuar jetën ekonomike, politike, shoqërore dhe kulturore të Shqipërisë – sepse jeta në Shqipëri është bërë e vështirë dhe e zymtë.

Mirëpo Partia Demokratike e cila është pretendentja për qeverisje dhe me 100% edhe partia e re qeverisëse pas prillit, duhet të dijë disa gjëra të rëndësishme.

Së pari: Opinioni pukblik, shqiptarët, i kanë larë hesapet me qeverinë dhe me Edi Ramën. Nuk duan ta votojnë më. Rama është kthyer në problem ekonomik, politik, moral, madje edhe kulturore, sepse shan dhe fyen inteligjencën e shqiptarëve. Mendon se po flet me fise që jetojnë në pyjet e Amazonës dhe jo me shqiptarët të cilët kanë parë, kanë dëgjuar.

Së dyti: Ata që e kanë mohuar dhe mezi presin largimin e Ramës por ende nuk kanë vendosur të votojnë për PD i kanë sytë nga Partia Demokratike. Jo se e dashurojnë por sepse kërkojnë t’i besojnë. Kërkojnë të shikojnë tek PD atë çfarë i mungon qeverisë.

Së treti: PD duhet të dijë se është në avantazh të madh në popull. Eshtë në avantazh për shkak të pakënaqësisë masive popullore ndaj modelit varfërues dhe fyes të Edi Ramës. Eshtë në avantazh modeli, sepse drejtohet nga një lider paqësor, europeist, i edukuar, aspak fyes, njeri normal, njeri i pranueshëm.

Së katërti: Eshtë në avantazh programor sepse është e vetmja parti e cila vazhdon të mendojë për program dhe propozime, nuk synon ta fitojë pushtetin duke kërkuar timon, tepsi, kazan e kusi. Eshtë në avantazh burimesh njerëzore, sepse të parët e qarqeve i ka njerëz të pranueshëm, të paakuzuar për korrupsion, ka gjitashtu kandidatët për deputetë të miratuar në të gjitha degët, njerëz të pastër e pa lidhje kriminale, njerëz profesionalë e normalë.

Së pesti: PD është në avantazh total. Mirëpo PD, lidershipit i saj, kryetarët e degëve, anëtarët dhe simpatizantët duhet ta reklamojnë avantazhin, duhet ta mbrojnë fitoren që populli shqiptar e ka bërë gati për tua dhënë. Nuk duhet të lejojnë diversion, përçarje, hutim, shpërqëndrim, sepse shpresa e vetme që i ka mbetur Edi Ramës është kjo; me propagandë, me përçarje, me blerje njerëzish.

Anëtarët e PD të zjarrtë e luftarakë siç njihen, duhet të mbrojnë fitoren, të mposhtin Edi Ramën dhe të ristartojnë Shqipërinë.