“S’jam mirë psikologjikisht” fjalia e vetme që sanitarja e spitalit “Shefqet Ndroqi” tha në polici

Nga: Elton Qyno

“Aktualisht nuk jam mirë psikologjikisht, do jap sqarime në një fazë tjetër të hetimit..”

Kjo ka qenë fjalia e vetme që sanitarja Tire Alldervishi e spitalit Covid-2, “Shefqet Ndroqi” në Tiranë, ka dhënë përpara oficerit të çështjes që ka ndjekur procedurën e hetimi ndaj saj.

Alldervishi, nuk ka qenë në gjendje të mbrohet para oficerit, i cili në prani të avokatit të saj, Enea Cenko, i ka komunikuar Tires akuzën e “Mashtrimit të kryer më shumë se një herë”.

Ora News, zbardh ekskluzivisht qëndrimin e pakuptimtë të sanitares së arrestuar, ku dukshëm e orientuan nga avokati mbrojtës, Tire Alldervishi, ka refuzuar të japë shpjegime duke pohuar se nuk ishte mirë nga ana psikologjike.

Në dokumentacionin policor thuhet se “kallëzuesja Eltjana Sinanaj, pretendon se ju i keni marrë paratë për t’ia dhënë sanitareve, infermierëve dhe doktorëve të spitalit “Shefqet Ndroqi”.

Si jeni njohur me shtetasen e mësipërme dhe çfarë keni për të thënë rreth kësaj çështje?

Ndërkohë sanitarja Tire Alldervishi, përgjigjet duke pohuar se “…në këtë fazë të hetimit do përfaqësohem nga avokati Enea Cenko. Aktualisht nuk jam mirë psikologjikisht dhe sqarime do jap në faza të tjera të hetimit…”.

Momentalisht Tire Alldervishi, po mbahet e izoluar në ambjentet e komisariatit të Tiranës, ndërkohë në ditët në vijim do dalë para gjykatës së kryeqytetit për tu njohur me masën e sigurisë “arrest në burg” që do kërkojë përfaqësuesi i akuzës.

Sanitarja, e spitalit “Shefqet Ndroqi”, akuzohet se i ka marrë 8 milion lekë të vjetra shtetases Eltjana Sinanaj, duke i premtuar kësaj të fundit se do i shpëtonte nënën e sëmurë nga “COVID-19”, e cila nuk mundi të fitonte betejën me sëmundjen.