Namir Lapardhaja – Zgjedhjet nuk janë larg!

Shqipëria buzëqesh, dëgjoj. Ashtu qoftë, e buzëqeshur!
Një i ri, që është duke mbaruar shkollën e mesme, shumë shpejt duhet të vendosë.
Ç’të bëjë?
Të shkojë në Universitet?
Këtu apo jashtë?
Privat apo publik?
Të marrë borxh apo kredi?
Po pastaj?
Po pastaj çdo bëjë?
A do gjejë dot një punë?
Nëse e gjen, a do t’i dalin lekët për të jetuar? Për t’u martuar, për të blerë shtëpi e për t’u bërë më fëmijë?
Po pastaj? A do ta ketë larë dot borxhin apo kredinë? A do t’i ndihmojë dot prindërit, tashmë pleq, të blejnë ushqime apo ilaçe?
A do të ketë një të ardhme të sigurt fëmija i vet?
Këto janë pyetjet e zgjedhësit sot.
Nuk ka rëndësi nëse unë mbështes sot një parti.
Nëse unë i zgjidh këto pyetje për vete, të tjerë njerëz do jenë keq, gjaku im, komshia im, ku trokas në të mirë e në të keq! Ai që të sillte supën kur të zuri Covid-i, para se të të vinte djali apo vajza nga Amerika, Greqia, apo Kanadaja.
Unë jam mirë nëse të dy bashkë, nëse të gjithë bashkë, jemi mirë! E pamë, siguria, shëndeti, viruset nuk njohin parti.
Le të mendojmë kësaj radhe për këto, për gjërat më të rëndësishme që na mësoi pandemia, që të buzëqeshim vërtet, sot dhe nesër!
Unë jam mësuar të trajtoj probleme në shkrime të tilla, probleme që na shqetësojnë. Dhe ky është ndoshta problemi më i madh sot.
Jo për kë do votoj. Për çfarë do votoj?