Fitim Zekthi – Qeverisja postmorale

FITIM ZEKTHI

Mënyra se si reagoi Kryeministri Rama, qeveria apo njerëz të tij në media në lidhje me darkën shumëmilionëshe të disa qeveritarëve të lartë në Dubai, është edhe më e rëndë sesa vetë darka shumëmilionëshe.
Ajo darkë ishte një llahtari në çdo kuptim. Përgjigjja e vetme ndaj asaj darke nga një Kryeministër që mbron përgjegjësinë e zyrës së kryetarit të qeverisë, do të ishte dënimi i asaj poshtërsie, kërkimi i dorëheqjes apo shkarkimi për çdo zyrtar të pranishëm në të.

Kryeministri tha se darka u pagua nga një biznesmen i madh arab, i cili i kishte ftuar qeveritarët shqiptarë atje për të negociuar për të investuar në Shqipëri. Kryeministri tha se qeveritarët tanë ishin aty në detyrë dhe po përpiqeshin të sillnin dy miliardë dollarë për Shqipërinë. Pak a shumë në këtë linjë foli edhe zëvendëskryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbian Mazniku.

Demokracia është një sistem i mbështetur plotësisht mbi llogaridhënien. Mbi kokën e qeverisë në demokraci rri vazhdimisht varur një çomange. Është çomangia e llogaridhënies dhe mbajtjes përgjegjësi. Llogaridhënia ka ardhur si një vlerë e feve abrahamike dhe në zemër të saj ka faljen. Falja, sakrifica, pendimi janë akte parësore në këto fe. Njerëzit mund t’i falin ata që i kanë lënduar, ata që kanë bërë një dëm apo edhe një krim, kur ata e pranojnë atë që kanë bërë. Llogaridhënia në zyrat publike, thotë Roger Scruton, një filozof i madh anglez, është pikërisht një manifestim i kësaj kulture të trashëguar nga feja, të cilën demokracia e ka brendësuar si një element themelor të sajin.

Gjithashtu, demokracia është edhe një sistem, në të cilin kufizimi i pushtetit të qeveritarit është diçka e qenësishme thellë, e kontrolluar imtësisht, në mënyrë që çdo formë abuzimi të mos mund të marrë frymë lehtë. Një nga elementët kufizues është edhe “moslejimi i konflikti i interesit”. Një qeveritari apo mbajtësit të një zyre publike nuk i lejohet të udhëtojë nën shoqëri biznesmenësh kur ata marrin leje apo kontrata nga ata, të darkojë apo drekojë me biznesmenë, t’i paguajnë fatura hotelesh apo fatura të tjera biznesmenë. Në qoftë se në Francë, në Angli apo Greqi do të zbulohej se një politikan ka përfituar bileta udhëtimi apo drekon me fatura të paguara nga biznesi, ai do të kishte probleme të mëdha politike.

Kryeministri Rama dhe zëvendëskryetari i bashkisë, Mazniku, gjetën si shfajësim faktin që darkën disamilionëshe e pagoi biznesi dhe jo paratë e buxhetit të shtetit. Në thelb, kjo është shumë më e rëndë. Do të ishte pa dyshim e rëndë që fatura shumëmilionëshe të paguhej nga buxheti i shtetit, por, ama, ajo do të ishte më e pranueshme sesa atë faturë ta paguajë biznesi. Biznesi bën vetëm biznes dhe nuk jep kurrë asgjë falas. Siç tha dikur me shumë mençuri Milton Friedman, “nuk ekziston diçka e tillë si drekë falas”. Edhe fatura e paguar nga biznesi ka pas saj kërkesa, ka oferta apo presione, ka shantazhe apo ryshfete, ka dobësim të përgjegjësisë së qeveritarit në mbrojtje të ligjit dhe të interesit të njerëzve. Për këtë shkak, në botën e zhvilluar nuk ka thuajse kurrë raste kur qeveritarët të zdërhallen në lokale luksoze me biznesmenë, kurrë. Po të ndodhte në Angli që një ministër të ishte në një darkë me një biznesmen dhe drekën ta paguante biznesmeni, ministri do të mbyllte karrierën politike. Po të ndodhte që dreka të kushtonte miliona, atëherë do të ishte një skandal qeveritar dhe gjithë qeveria do të kishte probleme të mëdha.

Edhe thjesht në rastin kur një qeveritar shkon për drekë me kolegë apo me politikanë për punë, ose shkon për drekë me të ftuar zyrtarë, ai kujdeset që shpenzimet të mos jenë të tilla, shumëmilionëshe. Edhe në rastin kur përdoren para të buxhetit për gjëra të tilla bëhet shumë kujdes që të shmangen shpenzimet e milionave. Kur zyrtarë apo deputetë kanë kryer shpenzime të mëdha, atëherë ata janë detyruar të japin dorëheqjen. Vetëm pak kohë më parë, ministri francez i Ekologjisë, Francois de Regy, u vu përballë kritikave të ashpra se shpenzonte shumë para të buxhetit për gjëra të tilla. IshKryeministri japonez, Shinzo Abe, një nga politikanët më të lavdëruar të Japonisë pas Luftës së Dytë, gati u vu nën hetim nga Prokuroria sepse zyra e tij bënte shpenzime të mëdha për dreka apo për darka pune.

Në gusht të vitit që kaloi, Malajzia kaloi një furtunë disaditore politike, sepse disa (tetë) deputetë të koalicionit qeveritar Perikatan Nasional u fotografuan në një darkë të shtrenjtë që kushtoi 6 mijë ringgit ose 1400 dollarë. Deputeti i rëndësishëm i opozitës në Parlament, Pabrakaran, kërkoi llogari dhe Kuvendi mbajti seancë debati. Koalicioni qeveritar shkoi në zgrip të rrëzimit. Pabrakaran tha se “është e turpshme dhe e papranueshme që kur populli ha patate, qeveritarët hanë karkaleca”. Qeveria dhe Kryeministri ulën kokën, kërkuan falje.

Në ndryshim nga darka në Dubai, që kushtonte 12 mijë dollarë me afërsisht tetë vetë edhe kjo, ajo në Malajzi e qeveritarëve të atjeshëm kushtonte 1400 dollarë. Pra, rreth 10 herë më pak. Megjithatë, atje u bë skandal dhe nuk u fol se biznesmenë të mëdhenj financonin darkën. Duhet të kemi parasysh që Malajzia ka rreth 10 mijë dollarë të ardhura për frymë, ndërsa ne rreth 5 mijë dhe në krizë të plotë ekonomike. Pra, varfëria jonë krahasuar me Malajzinë është e madhe. Veç kësaj, darka e qeveritarëve malajzianë nuk kishte asnjë zdërhallje, as shishe vere, as vanitet, as familjarë qeveritarësh, as veshje sportive, casual apo pulovra. Ishin tetë deputetë me kostume dhe kravata, pa asnjë zdërhallje.

Atëherë, pse Rama dhe qeveritarët tanë, një gjë kaq të papranueshme, kaq të rëndë, kaq poshtëruese për njerëzit sa darka shumëmilionëshe, e mbrojtën, nuk kërkuan ndjesë, e quajtën normale, sulmuan madje opozitën. Pse Rama nuk bëri atë që thotë Scruton, të ndiejë mbi kokë çomangen e llogaridhënies dhe të përgjegjësisë dhe të dënojë atë pamje të tmerrshme.

Kjo është një qeveri që ka brendësuar korrupsionin, të padrejtën, të pamoralshmen. Kjo është një qeveri që mund të përdorë për gjithçka arsyen dhe të justifikojë çdo zullum, çdo poshtërsi, çdo të padrejtë në funksion të interesit të saj. Kjo, madje, është një qeveri që i sulmon dhe i akuzon si të padrejtë apo edhe të pamoralshëm të gjithë ata që nuk e pranojnë justifikimin e saj. Kjo është një qeveri që jo vetëm e justifikon të padrejtën dhe të pamoralshmen, por kërkon që ajo të shihet si e moralshme dhe si e tillë të pranohet nga shoqëria dhe madje të ndiqet prej saj.

Një politikane e njohur aziatike, e burgosur politike nga një regjim diktatorësh, kur mori çmimin “Nobel për Paqe”, tha se korrupsioni ka katër forma.

-Forma e parë është korrupsioni i ushqyer nga dëshira për të jetuar më mirë vetë me njerëzit e afërt dhe për pasojë njeriu vihet në ndjekje të ryshfetit.

-Forma e dytë është korrupsioni që të fut në veprime të poshtra për shkak se kërkon t’i bësh keq dikujt për shkak të luftës për pushtet, zilisë, egoizmit etj.

-Forma e tretë është korrupsioni për shkak të injorancës, ai që vjen si pasojë e padijes.

-Forma e katërt dhe më e rënda, është korrupsioni që vjen nga humbja e plotë e sensit të së mirës dhe të keqes, ai që shkatërron çdo kuptim mbi të mirën dhe të keqen.

Sa i takon formës së parë, korrupsionit që i shtyn njerëzit të vjedhin, mashtrojnë për të pasur para dhe jetuar mirë ata dhe familjarët, nuk ka nevojë të diskutohet për qeveritarët tanë. Ata jetojnë në vila dhe luks, me makina të shtrenjta, veshje të shtrenjta, me fëmijët në shkolla të shtrenjta nëpër botë. Gjithsesi, po të ishte vetëm kjo formë korrupsioni e brendësuar nga qeveria, Rama do të kishte forcë të dënonte këtë darkë të turpshme shumëmilionëshe në Dubai.

Korrupsioni i dytë, ai që bëhet për shkak të luftës ndaj të tjerëve, ai që shkakton dëm dhe dhimbje te të tjerët është pa dyshim i pranishëm te kjo qeveri, e cila e ka kthyer mbajtjen e pushtetit në qëllim fundor, e cila minimumi ka lënë njerëz në rrugë, ka prodhuar mjerim dhe dhimbje. Edhe kjo formë korrupsioni nuk do ta pengonte Ramën të dënonte darkën poshtëruese në Dubai.

Forma e tretë, korrupsioni nga injoranca, edhe ky është i pranishëm. Ka zullume që bëhen edhe nga padija (politika në investime, në arsim apo shëndetësi), ndonëse darka shumëmilionëshe në Dubai nuk është bërë nga padija. Edhe kjo formë e korrupsionit nuk do ta pengonte Ramën ta dënonte turpin e Dubait.

Forma e katërt, ajo më e rënda, ajo e humbjes së sensit të së mirës dhe të keqes, ajo që e zhbën këtë dallim bazik për jetën njerëzore, për moralin dhe jetën tonë sociale, ajo nuk e lë Ramën dhe qeverinë të dënojnë këtë darkë, këtë tallje me popullin barkbosh dhe në ujë.

Nuk ka asnjë dyshim që kjo qeveri është përpjekur gjithnjë ta shkatërrojë dallimin mes së mirës dhe së keqes, nuk ka dyshim që kjo qeveri është përpjekur gjithnjë që të justifikojë çdo të keqe, të përdorë në ekstrem arsyen për të legjitimuar apo normalizuar të keqen, për të përmbysur të vërtetën, për të shkatërruar aparatin konjitiv të shoqërisë.

Këtë gjë është përpjekur gjatë ta bëjë komunizmi dhe e bëri, këtë gjë në një mënyrë tjetër po e bën kjo qeveri. Në këto 30 vite, vendi ka pasur qeveri të këqija, qeveri që kanë pasur korrupsion, që i kanë pasur të tri format e para të korrupsionit, por qeveri që të brendësojë formën e katërt dhe t’ia imponojë Shqipërisë këtë formë gjykimi nuk ka pasur.