Toska e Bajraktari, dy figurat që duhen kujtuar në 108 vjetorin e themelimit të Policisë së Shtetit


Nga Sebastjan Zonja

Më 13 janar 1913, Qeveria e Përkohshme e Vlorës mori Vendimin për krijimin e Forcave të Rendit, Policisë dhe Xhandarmërisë. Është një datë e rëndësishme për të përkujtuar familjarët që dhanë kontributin e tyre në themelimin e shtetit shqiptar.

Policia, bashkë me Shërbimin Sekret dhe Ushtrinë, janë tre ndër elementët kyç për një shtet modern e funksional.

Me urdhër të plakut të urtë Ismail Qemali emërohet më 13 janar 1913 Komandat i Xhandërmarisë Shqiptare, HYSNI TOSKA. Në fund të janarit ai shkon në Llogara për të ndalur sulmin e grekut në këtë zonë. Sipas Lef Nosit, mbledh 100 burra në Dukat, të cilëve iu bashkon forcën e tij prej 200 vetësh dhe lufton kundër grekëve.
Në shërbim të qeverisë së Vlorës, Hysni Toska, angazhon edhe njerëz të tjerë nga paria e vendit, si vjehrrin e tij Hajredin Aga Hekali.
Hysni Toska ishte një patriot shqiptar. Vdiq në Berat. Lufta për pushtet e komunistëve, pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes në ’43-shin, solli eleminimin e shumë patriotëve.

*

I formuar me një edukim ushtarak në Vjenë, kolonel MUHARREM BAJRAKTARI ka qenë një figurë e rëndësishme në Shqipëri, qysh në vitet ’20. Pas Kongresit të Lushnjës, u emërua oficer në xhandarmërinë shqiptare në kryeqendrën e prefekturës së Kosovës, në Krumë. Në vitin 1926 kryesoi njësitë që shtypën Lëvizjen e Dukagjinit dhe më 1929-ën u emërua Komandant i Përgjithshëm i Xhandarmërisë Shqiptare nën drejtimin e Sir Jocelyn Percy. Më 1931-shin u emërua adjutant i Mbretit Zog. Në dhjetorin e vitit 1934 u shkarkua nga xhandarmëria për shkak të mosmarrveshjeve dhe largohet në emigracion. Kthehet në 1939-ën kur Shqipëria pushtohet nga fashistët italianë. E ngrys jetën në emigrim, në Bruksel, ku edhe nderohet nga autoritetet belge për kontributin kundër komunizmit dhe nazifashizmit.