Profesori i njohur letër Edi Ramës po e ndërton spitalin e Fierit në një fushë me lagështi dhe mushkonja në behar


Nga Aleko Miho

I Nderuar z. Rama (Edi Rama)! Respekte për gjithë përpjekjet për përballimin e vështirësive natyrore, pasojave të tërmetit, pandemisë, përmbytjeve etj. Respekte për këmbënguljen e pareshtur për të kërkuar dhe sjellë ndihma në folenë tonë të varfër, përfshirë këtu edhe ndërtimin për një kohë rekord të Spitalit Rajonal të Fierit!

Por lidhur me ndërtimin e Spitalit dua të ndaj me ju dhe ekipin tuaj një këshillë: Nuk më duket aspak e mënçur zgjedhja e vendit. Në një zonë të tillë fushore ku ju duket se kini vendosur të mbyt mushkonja në behar dhe lagështia dhe uji në dimër. Nuk është aspak vendi i duhur për të ndërtuar një spital. Do këshilloja shumë një nga kodrat e Fierit, kam këtu parasysh kodrat e Ardenicës apo të Apollonisë. Një spital i tillë meriton një vend ku të shëron jo vetëm spitali, por dhe peizazhi, qetësia dhe ajri përreth. Jo pa arsye ne shpesh gjejmë në vende të tilla të ngritura, jo vetëm fortesa dhe vendbanime, por edhe shumë vende kulti. Do këshilloja këtë edhe për ndërtime të tjera publike, si p.sh. shkolla. Shumkush e ndjen që kush shkon për vizitë në vende të tilla shërohet jo vetëm nga mëndja dhe shpirti, por dhe nga trupi.

Por ka edhe një arsye edhe më madhore pse unë këshilloj të mos ndërtohet në tokë buke. Dua të sqaroj se Shqipëria renditet ndër vendet me shumë pak tokë buke. Toka bujqësore zë 24.2% të sipërfaqes totale të vendit (pra rreth 695,700 ha), dhe kjo në vite shumë e keqpërdorur dhe e dhunuar. Nga një përllogaritje e thjeshtë, sasia e tokës së bukës për frymë është vetëm 0.24 ha, e barabartë me rreth 50 m x 50 m; ndoshta edhe më pak me pushtimet e bëra gjatë gjithë kësaj periudhe kaotike tranzicioni. Kjo është shumë e ulët, po qe se mbahet parasysh se për të siguruar mbijetesën normale për një frymë nevojitet të paktën 0.5 ha tokë bujqësore. Është ndoshta edhe një nga arsyet që shpesh shqiptarët zgjedhin mërgimin si zgjidhje për një jetë më të mirë! Për këtë kujdesi për të mbrojtur tokën duhet të jetë sfidë e vazhdueshme për Shqipërinë, ashtu si për shumë vende të tjera në gjithë Planetin, kjo sidomos në gjithë ndërtimet e nxituara private dhe publike. Ndjesë dhe mirëkuptim, gjithmonë me urimin të mos jem i vonuar me këshillën time!