TOP CHANNEL: Ekonomia në stanjacion, ka rënie të ndjeshme të konsumit

“Pandemia Covid-19 ndikoi fort konsumin në vend. Sipas të dhënave të Instat. Inflacioni ka qëndruar në nivele anemike gjatë gjithë vitit 2020, ndërsa në dhjetor ky tregues u ndal në 1.1% duke u udhëhequr thuajse vetëm nga çmimet e produkteve ushqimore, drejt të cilave janë orientuar më së shumti konsumatorët për shkak të pasigurive të shtuara si pasojë e krizës së koronavirusit.”

Krahas ushqimeve dhe pijeve alkoolike, inflacioni muajin e kaluar u formua gjithashtu edhe nga shtrenjtimi i qirave, teksa ndikim dha edhe grupi i mobiljeve dhe pajisjeve shtëpiake, edhe pse ishte më i kufizuar.

Kostot e lidhura me transportin nga ana tjetër kanë parë një rënie të ndjeshme me 0.31% fundvitin e kaluar duke ndikuar kështu negativisht rritjen vjetore të çmimeve, teksa konstatohet nga të dhënave se familjet shqiptare kanë shpenzuar më pak për veshje e këpucë gjatë dhjetorit.

Kjo normë inflacioni në 1.1% tregon sinjalizon se ekonomia është në stanjacion dhe është shumë larg targetit të Bankës së Shqipërisë. Sipas kësaj të fundit, ekonomia pritet të rikthehet në normalitet gjatë këtij viti, kohë kur pritet që edhe inflacioni të kthehet pranë objektivit prej 3%.

Diçka që duket mjaft e vështirë për t’u arritur në kushtet kur pandemia vijon të ushtrojë presion mbi ekonominë e rrjedhimisht edhe mbi të ardhurat e konsumatorëve.

Në vrojtimin e fundit të bankës qendrore, treguesi i besimit konsumator shënoi rënie për tremujorin e fundit të 2020-ës, duke reflektuar situatën e vështirë financiare të familjeve shqiptare dhe ekonomisë në tërësi.

Top Channel