PROFIL i kasapit turk | kush është Nusreti që po përflitet kaq shumë?

Nusret Gökçe, njohur ndryshe edhe me nofkën Salt Bae, është një kasap, shef kuzhine dhe pronar i Nusr-Et, një rrjet restorantesh luksi, që gatuajnë kryesisht varietetet e mishit të pjekur.

Nusreti është i njohur për teknikën e tij të përgatitjes së mishit, e po ashtu, edhe për çmimet tejet të kripura në restorantet e veta, për të cilat hera-herës ka pasur edhe pakënaqësi e reagime.

Fama e tij mori dhenë më 2017-n, kur ai publikoi për herë të parë një video 36 sekodshe në Instagram, emërtuar si “Bifteku Otoman”, ku shquhet teksa kryen lëvizjet tipike, teksa pret një biftek me kockë, prerje që e mbyll me gjestin e vet karakteristik, hedhjen e kripës, të cilën e ka të patentuar.

Në restorantin e tij kanë bujtur shumë personalitete nga mbarë bota, mes së cilëve Andrea Bocelli dhe futbollisti i famshëm i cili sapo është ndarë nga jeta, Diego Maradona.