Grekët mbushin plazhet në mes të janarit | FOTO

Kushtet e mira të motit që mbizotëruan këtë të diel në Greqi bënë që njerëzit ta kalonin fundjavën në plazhe, pavarësisht kufizimeve të lëvizjeve që janë ende në fuqi në shtetin fqinj.

Temperaturat në Athinë arrinin sot deri në 23 gradë Celsius, e për këtë arsye, njerëzit zgjodhën që t‘i drejtoheshin bregdetit. Nga ana tjetër, policia patrullonte për të kontrolluar turmat.

Në 50 vitet e fundit, temperatura të tilla të larta në muajin janari janë parë vetëm në 1987 dhe 2010, tha Observatori Kombëtar i Athinës.

“Nuk është normale. Sot, një vit më parë, ishte shumë ftohtë. Mirëpo, kjo është diçka e mirë, sepse njerëzit e kanë të nevojshme që të lëvizin. Nuk mund të qëndrojmë gjatë gjithë kohës në shtëpi”, tha 65-vjeçari Kyriakos Pitoulis.

Greqia ka qenë në bllokim të pjesshëm që nga fillimi i muajit nëntor, ndërsa mbajtja e maskës në ambiente publike ka qenë një detyrim.

Të premten autoritetet zgjatën masat kufizuese antiCovid, të paktën deri më 18 janar, në përpjekje për të parandaluar përhapjen e virusit.