Ministrat e Nusretit – REDAKSIONALE

REDAKSIONALE

Për disa muaj me radhë opozita ka këmbëngulur që Rama dhe qeveria e tij nuk di të manaxhojë krizat. Rama, përmes sjelljes së tij arrogante e ka mohuar këtë fakt, madje ka shkuar edhe më tej. Inskenoi një takim madhështor me Erdogan dhe provokoi në Tiranë një stuhi në gotë duke paralajmëruar një pajtim të madh mes Erdogan dhe Micotaqis.

Video e sotme nga restoranti luksoz i Dubai vërtetoi akuzën e PD. Në ndihmë kësaj here opozitës i erdhi as më shumë e as më pak se sa dëshira për vanitet e kabinetit të ministrave që kanë lënë të mbyten në shi socialistë dhe demokratë sa në veri dhe në jug të Shqipërisë.

Figura të zakonshme që darkojnë në restorantin e shtrenjtë në Dubai që vizitohet nga njerëz që xhepi ua mban. Kështu ndodhi pra në një natë të zakonshme kur në Shqipëri kemi 800 raste të reja me COVID-19 dhe numri i vdekjeve u shtua me 32. Në një vend në të cilin ndihma për pandeminë ka qenë më e ulëta në rajon por ministrat e këtij vendi udhëtojnë në Dubai.

Vaniteti ka një çmim të rëndë, sidomos në kohën e një pandemie dhe mbi të gjitha përballë një populli që është më i varfëri në rajon. Mirëpo qeveria ka së paku 4 vite që nuk angazhohet për të krijuar një të ardhme për të gjithë ne. Arbian Mazniku që dallohet në video është i akuzuar nga prokuroria e Tiranës se është paguar nga një prej biznesemenëve në kundërshtim me ligjin, Arben Ahmetaj është akuzuar për bashkëpunim në procedurat e paligjshme për inceneratorin e Tiranës që po hetohet nga SPAK.

Një grup ministrash që darkojnë në restorantin më të shtrenjtë në Dubai dhe një ndër më të shtrenjtit në botë është një krizë e thellë besimi. Jo vetëm për elektoratin e tyre që ndoshta nuk beson fare më që ato mendojnë për të varfërit por për shqiptarët që kanë rreth dy vjet që përballen me krizë pas krize dhe fatkeqësi.

 

Video