Me çfarë liste do dalë Opozita e bashkuar?

REDAKSIONALE

Në ambientin politik po diskutohet mbi opozitën bashkuar, më konkretisht po diskutohet se si do raportohen me njëra-tjetrën PD dhe LSI. Dikush hedh dyshime mbi LSI-në, dikush aludon për mungesë besnikërie e vizioni, dikush shpreh mosbesim tek lidershipi i Monika Kryemadhit dhe thotë se me largimin e Ilir Metës, LSI është dobësuar dhe nuk ka lidership.

Mirëpo Monika Kryemadhi është e vetmja kryetare partie grua, në mes kryetarëve burra, si dhe ka qenë viktimë e propagandës së Edi Ramës. Analistët e Ramës, komentatorët, komentuesit dhe shkruesit, kanë punuar për të na paraqitur një Monikë harbute, brutale, sipërfaqësore, pa edukatë e pa intelekt. Shikoni faqet e rrjeteve sociale që menaxhohen nga PS.

Ndërkohë Shoqatat e grave të cilat financohen nga BE për mbështetjen e grave në politikë, duhet të ishin duke e mbështetur Monika Kryemadhin si të vetmen grua kryetare partie. Mirëpo ato nuk e kanë mbështetur e as e kanë mbrojtur kur ajo është përballur me sulme maskiliste. Sepse këto shoqata em NIPT i shërbejnë Ramës dhe Veliajt dhe janë ndërmarrje biznesi.

Por e vërteta qëndron përtej propagandës.

Monika Kryemadhi ka dëshmuar lidership. Ajo ka bërë fort opozitë, brenda kapaciteteve të LSI, kuptohet. Por mbi të gjitha ka dëshmuar besnikëri dhe konseguencë gjatë këtyre katër viteve. Si duke djegur mandatet, si duke mos pasur luhatje apo dilema në rrugën opozitare drejt qeverisjes.

Monika Kryemadhi ka ende rrugë përpara. Ajo duhet të kuptojë se eksperimentet dhe flirtet e mundshme me PS, do dështojnë sepse kanë dështuar gjithmonë. Partia Socialiste ose thënë më shqip, Rilindja, e ka jetik eleminimin e LSI-së. E merr në koalicion për ta përdorur, mandej gjatë qeverisjes e fajëson dhe e denigron.

E vetmja rrugë e sigurt dhe solide për LSI-në është bashkëpunimi me Partinë Demokratike. Me çfarëdo liste të dilet, si me listë të përbashkët, si me lista të veçanta, me lista taktike, duhet çuar përpara ky bashkëpunim opozitar mes PD dhe LSI, duhet kurorëzuar me fitore, duhet konkretizuar me qeverisje. Duhet vërtetuar ajo që shumë njerëz mendojnë: një mazhorancë PD-LSI dhe një pushtet Basha-Kryemadhi, do ishte pushtet shumë më cilësor se qeverisja Rama dhe ndoshta, pushtet më i butë se koalicioni Berisha-Meta.