Gati futja edhe të ‘Alibaba’ e ‘Tencent’ në “listën e zezë të firmave të kontrolluara nga ushtria kineze”

Administrata e udhëhequr nga Donald Trump po shqyrton shtimin e gjigantëve të teknologjisë Alibaba dhe Tencent në një listë të zezë të firmave që pretendohet se janë në pronësi ose të kontrolluara nga ushtria kineze, thanë të mërkurën dy persona të njohur me këtë çështje.

Sipas Reuters, shënjestrimi i dy kompanive më të vlefshme të Azisë do të ishte hapi më dramatik i presidentit të SHBA-së, Donald Trump në një masë të fundit masash të lëshuara kundër kompanive kineze ndërsa ai kërkon të “çimentojë” politikën e tij të ashpër kundër Pekinit gjatë ditëve të tij të fundit në detyrë.

Po sipas Reuters, zyrtarët e Departamentit të Mbrojtjes, të cilët mbikëqyrin përcaktimet në listën e zezë, nuk kanë përfunduar ende planet dhe po diskutojnë gjithashtu shtimin e firmave të tjera kineze në listë, thanë burimet, duke folur në kushte anonimiteti sepse diskutimet janë private.

Reuters thotë se asnjëra nga kompanitë nuk kanë pranuar të komentojnë rreth lajmit, i cili u raportua së pari nga Wall Street Journal.

Disa investitorë shprehën skepticizëm, megjithatë, se Alibaba dhe Tencent do të përballen me kufizime afatgjata – duke pasur parasysh se ata vlejnë një kombinim prej 1.3 trilion dollarësh, të mbajtur gjerësisht nga investitorët amerikanë.

Ndryshe, Trump përshkallëzoi masat kundër firmave kineze në nëntor me një urdhër ekzekutiv që ndalon investitorët amerikanë të blejnë aksione të firmave kineze.

Pentagoni deri më tani ka vendosur në listën e zezë 35 firma, përfshirë SMIC dhe gjigantin e naftës CNOOC.

Në përgjigje të lajmeve për vendosjen e mundshme në listën e zezë të Alibaba dhe Tencent dhe jo vetëm, zëdhënësi i ministrisë së jashtme kineze Hua Chunying tha të enjten se Kina do të ndërmarrë veprime për të mbrojtur të drejtat dhe interesat legjitime të kompanive të saj