Ç’është “trumpizmi” (sipas meje)

Nga Indrit Vokshi

Jemi afërsisht si në mes të viteve 1800. Asokohe ishte rendi në fuqi, monarkitë, kisha, feudalët, junkerë e kontë, institucionet i kontrollonin ata, ishin, pra, establishmenti që përmendim sot.

Lindën partitë liberale, social-demokrate, kristian-demokrate, komuniste. Këto parti synonin të mobilizonin popullsinë, masat e gjera popullore e pa akses e privilegje, kundër zyrtares, aristokracisë, monarkisë, ushtrisë dhe më pas (të majtët), kundër borgjezisë. Kjo vazhdoi, kaloi shekullin XIX.

Nga e djathta, konservatorja e vjetër, ata që ishin kundër financës, kundër modernitetit i lanë vendin të djathtës liberale të tregut. Më pas doli e djathta neoliberale e cila i çmontonte shtetet dhe e linte territorin dhe popullin, fushë të lirë për Tregun e Madh Global. Privatizimet, shumëkombëshet, aderimi në organizata të mëdha si psh BE, tek të cilat shtetet dorëzonin sovranitetin e tyre.

U krijua një establishment i betonuar si i viteve 1800.

Sot kanë dalë grupimet populiste. Ata njëlloj si të tjerët para një shekulli e gjysëm, synojnë të mobilizojnë popullsinë, masat e mëdha të popullit, kundër zyrtares së proklamuar nga Rendi në fuqi. Godasin vendimmarrjen e mbyllur e burokratike dhe, kërkojnë vendimmarrje me votë.

Ndryshe nga partitë socialiste të viteve 1800 dhe 1900 e në vazhdim, partitë populiste nuk kërkojnë shtetzim total, nuk kërkojnë shembje kishash e vrasje priftërinjsh. Dmth janë revolucionare por jo revolucionare marksiste-leniniste. Përkundrazi, kërkojnë mbrojtje të traditave dhe kulturës, vlerave kombëtare dhe sovranitetit (të cilat e majta i ka armike), duke deklaruar se këto, kërcënohen nga Rendi Global Neoliberal ose nga Globalizmi. Kërcënohen nga vendimmarrja e mbyllur e mekanike e institucioneve të pazgjedhura. Mbaj mend Nigel Farage në Parlamenin Europian i thoshte “presidentit të BE” Herman van Rompy: “Kush je ti? Kush të ka zgjedhur ty? Cili popull të ka votuar ty? Dhe, më e rëndësishmja, si mund të shkarkohesh ti?”.

Trump, Bolsonaro, AfD, Le Pen, Kazinski etj. janë kjo gjëja e re. Mund të quhen revolucionarë populistë; revolucionarë sepse nuk pranojnë legjitimitetin e rendit politik dhe ekonomik aktual.

Sot rendi në fuqi i shpall të trashë, injorantë, harbutë etj. Sepse çdo rend, kështu e përkufizon armikun. Dikur monarkët, klerikët, junkerët etj, rendi zyrtar i kohës, shpallnin të trashë, armiq e aventurierë ata që kërkonin parlamentarizëm, votë, përfaqësim, ndarje pushtetesh, pra kërkonin këto që ne vlerësojmë sot. Kjo ndoshta është normale, kështu do shpallen të gjithë revolucionarët në çdo kohë ngaqë kërkojnë ide të papranuara gjerësisht për kohën.

Këta janë ndoshta jashtë etikës zyrtare, jashtë standartit dhe jashtë rregullave sepse janë populistë revolucionarë. Por njëlloj si para një shekulli idetë e tyre kanë gjetur mbështetje në popull.

more recommended stories

loading...