Aktori britanik: Ja përse nuk dua të luaj më Mr. Bean

Aktori i njohur britanik, fytyra e një prej personazheve komik më të pëlqyer në botë shpjegon, pse mezi pret të resht së interpretuari rolin e tij më të njohur, Mr. Bean. Por ndërkohë, ai do të “jap hua” zërin e tij për një film me metrazh të gjatë. “Është bërë stresuese të vazhdoj të interpretoj këtë rol në skenë, është më e lehtë të luaj zërin e Mr. Bean se sa të shfaqem edhe vizualisht. Nuk më argëton më, nuk është shumë e këndshme pesha e përgjegjësisë që ndiej kur duhet ta luaj këtë personazh. Është ezauruese, mezi pres ta mbaroj”. Kështu, Rowan Atkinson, 65 vjeç me një karrierë të gjatë dhe të frytshme teatrale përpara se të spikaste në ekranin e madh, ka deklaruar në revistën e përjavshme britaneze “Radio Times”, se personazhi i tij më i njohur, Mr. Bean “ i ka ardhur në majë të hundës”. Nuk është kjo një lamtumirë, edhe pse aktori duket i vendosur të mos i rikthehet rolit, e megjithatë ai do të vazhdojë ta dublojë këtë karakter për filmin e ardhshëm në versionin e animuar.

Nuk është kjo hera e parë që Atiknson, ankohet për ‘alter egon’ e tij. Që në 2012-ën ai ishte shprehur për të përditshmen Daily Telegraph se dëshironte “ të nxirrte në pension” Mr. Bean, duke pohuar se “infantilizmi i një 50-vjeçari ngjall një lloj trishtimi”.