Haradinaj-Stublla “shpërthen” ndaj Vuçiç: Po luan humanistin, më parë të kërkojë falje për gjenocidin

Vaksinimi i popullsisë në komunat veriore të Kosovës shkaktoi reagime të ashpra mes Serbisë dhe Kosovës. Ministrja e jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj Stublla shpërtheu në sulme ndaj presidentit serb, Aleksandër Vuçiç. Sipas saj, Vuçic po bën propagandë.

“Vuçiç nuk po arrin të shkëputet nga profesioni i tij i parë – roli i propaganduesit e mohuesit të fakteve. Propaganda është mjeti i tij i preferuar me të cilën ai tenton të hedhë mjegull sa herë që zihet ngushtë e ballafaqohet me të vërtetën. Vetëm sa për rikujtim, edhe në ëebfaqen e qeverisë së tij i ka të botuara marrëveshjet e Brukselit, përfshirë njoftimin zyrtar për arritjen e marrëveshjes për njohjen reciproke të certifikatave të produkteve medicinale në 2015. Ajo marrëveshje saktëson se produktet farmaceutike që vijnë nga Serbia në Kosovë dhe anasjelltas – duhet t’i nënshtrohen procedurave të regjistrimit/aprovimit tek autoritetet kompetente shtetërore dhe në asnjë formë nuk mund të kontrabandohen. Ndalimin e kontrabandës dhe ndërhyrjeve ilegale në Kosovë, i ka të sanksionuara edhe në marrëveshjet tjera, përfshirë atë për Menaxhimin e Integruar të Kufirit si dhe në kapitullin 35 të negociatave me BE-në.”

Ajo i bëri thirrje në “Facebook” presidentit serb që t’i kërkojë falje Kosovës për gjenocidin.

“Duhet të bëhet e qartë se Serbia NUK ka as kujdesin minimal human e shtetëror ndaj shqiptarëve në Serbi, duke i diskriminuar sistematikisht dhe në mënyrën më barbare të mundshme, e po ashtu duke penguar Kosovën që të kujdeset për Luginën e Preshevës. Nëse Vuçiç ka vendosur ta luaj rolin e konstruktivit dhe dëshiron me të vërtetë të kontribuojë për paqe dhe fqinjësi të mirë, e ftoj të fillojë me kërkimfalje për gjenocidin që Serbia ka bërë në Kosovë dhe të japë përgjegjësi shtetërore përpara drejtësisë ndërkombëtare. Prandaj, e ftoj Vuçiçin që së pari të jap përgjegjësi për të kaluarën kriminale të Serbisë, e më pastaj t’a luaj “humanistin.””