“Kisha përshtypjen se po hyja në arkivol”, Janullatosi rrëfen ditët me Covid

Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë Anastas Janullatos, ka rrëfyer betejën e tij me koronavirusin pasi kaloi 12 ditë në spital ku ka marrë mjekim të specializuar në Athinë.

Në një intervistë për mediat greke, Janullatosi rrëfeu se nuk ndjeu vetëm frikë, por shqetësim që nuk e kishte provuar më parë dhe kishte momente që i dukej sikur kishte hyrë në arkivol.

“Nuk ndjeva frikë, vetëm një shqetësim të paprovuar më parë. Unë kam kaluar shumë sëmundje në jetën time, por kjo ishte një aventurë në një terren të panjohur. Kur më futën në kapsulë kisha përshtypjen se po hyja në një arkivol. Në atë moment gjeta përsëri strehë në të vërtetat që gjithmonë më kanë mbështetur në jetën time.

Ata që vënë në dyshim faktet tronditëse të pandemisë me sa duket janë prekur nga një tjetër sëmundje serioze, të identifikuar me thënien e lashtë: “ Nuk më bind dhe nëse më bind”. Debati publik duhet të jetë krijues, ai kërkon njohuri serioze, përgjegjësi dhe maturi. Polarizimi është një formë e majisjes dhe prishjes. Unë e kuptoj zemërimin, por ne duhet të shmangim dëshpërimin.

Pështjellimi i shkaktuar nga pandemia duhet të merret seriozisht, me një frymë kritike, solidaritet, besim dhe shpresë.Të gjithë duhet të punojmë së bashku. Duke theksuar nevojën për drejtësi sociale, respekt për çdo qënie njerëzore dhe kujdes për ata që vuajnë si dhe të dobëtit. Sigurisht që unë do ta bëj vaksinën sipas udhëzimeve të mjekëve të mi”, tha Janullatos.

Ndërsa u pyet se si ndikoi pandemia në Kishë, Janullatos u shpreh:

“Kisha Orthodhokse ka shmangur përpjekjet për të ndikuar kërkimet shkencore dhe nuk pozicionohet për çdo arritje shkencore që shfaqet. Shkenca dhe Kisha janë të dyja shprehje lavdërimi për Atë që është e vërteta. Nuk mendoj se ekziston një përplasje midis dogmës dhe shëndetit publik”.