Shqiptarët po varfërohen më shumë, ndërsa çmimet e medikamenteve po rriten!

Ndërkohë që po përjetojmë kohëra covidiane dhe ekonomia e shqiptarëve sa vjen e po përkeqësohet për shkak të krizës së pandemisë, disa tregues të tjerë sjellin një tjetër këmbanë alarmi.

Mesa duket hendeku ekonomik i xhepit të shqiptarëve do të thellohet edhe më.

Këtë gjë na e thotë edhe raporti i radhës nga INSTAT, i cili tregon se indeksi i Çmimeve të importit gjatë tremujorit të tretë të vitit 2020, arriti 94,6 duke shënuar një rritje me 0,9 %, në krahasim me tremujorin e tretë 2019.

Së pari shpjegojmë se Indeksi i Çmimeve të importit, mat ecurinë e çmimeve të transaksioneve të produkteve industriale të importuara për tu shitur në tregun vendas.

Sipas INSTAT, rritja më e madhe dhe “goditëse” në portofolin e shqiptarëve, është rritja e çmimeve të produkteve farmaceutike dhe më pas vjen edhe rritja çmimit të pajisjeve elektronike.

Në raportin e INSTAT, sipas treguesit të Indeksit të Çmimeve të Importit , janë rritur çmimet e importit në 3-mujorin e tretë të vitit me 0.9% të produkteve farmaceutike.

Kur çmimi i mallrave që importojmë po vazhdon gjatë gjithë kohës të rritet, atëherë edhe inflacioni do të përkeqësohet. Ndërkohë të lidhura si reaksion zinxhir, çekuilibrimi i nivelit të inflacionit, përkthehet në paqëndrueshmëri ekonomike.

E parë në këtë këndvështrim, situata pritet që të përkeqësohet në momentin kur rritja e çmimeve vazhdon të ndodhë në produktet mjeksore, e si pasojë kjo gjë sjell edhe rritjen e shpenzimeve të qytetarëve për tu kuruar nga koronavirusi.

Pra në periudhën kur shqiptarët po bëhen edhe më të varfër, po rriten çmimet e medikamenteve.

Pandemia ka nxitur konsumim të jashtëzakonshëm të multivitaminave, antibiotikëve dhe mjeteve të tjera mjekësore të tilla si oksimetri, termometri, antibiotikët, aparatët e tensionit, etj.

Si pasojë, kërkesa në rritje e këtyre medikamenteve, është shoqëruar edhe çmime më të larta, efekt ky që do të vazhdojë përgjatë gjithë pandemisë.

Shtrenjtimi i importeve sjell përkeqësimin e ekonomisë

Rritja më e madhe e çmimeve të importit prej 1,3 % vërehet në produktet e seksionit “Industria përpunuese”, pasuar edhe nga produktet dhe medikamentet farmaceutike.

Brenda këtij seksioni rritja më e madhe e çmimeve vërehet në produktet e aktivitetit “Prodhimi i produkteve optike, elektronikë, kompjuterikë” me 5,3 %, pasuar nga aktivitetet “Përpunimi i produkteve dhe preparateve farmaceutike” me 4,1 %, “Prodhimi i makinerive dhe pajisjeve p.k.t” me 3,7 %, “Prodhimi i lëkurës dhe produkteve prej lëkure” me 3,6 %, etj.

Nga ana tjetër çmimet në aktivitetin “Metalurgjia” kanë shënuar ulje me 3,9 %, pasuar nga “Prodhimi i produkteve të kauçukut dhe plastikës” me 2,5 %, “Shtypshkrime dhe rigrupim i mediave të regjistruara” me 1,8 %, etj.

Indeksi i Çmimeve të importit në tremujorin e tretë 2020 shënoi rritje me 0,3 %, krahasuar me tremujorin e dytë 2020. indeksi në seksionin “Industria përpunuese”, e cila zë peshën më të madhe në vlerën e importeve, ku dhe ka shënuar rritje me 0,1 %.