Elona Caslli – Turjan Hyskën nuk e zë lopata!

Nga Elona Caslli

Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, do ta paraqiste sot një video, ku shfaqej Turjan Hyska, i cili njihet nga të gjithë si këngëtar dhe si prezantues i emisioneve të ndryshme televizive.

Në video zoti Hyska, do të mbante një ligjëratë të gjatë mbi dobinë e oksigjenit dhe do të nënvizonte faktin se kjo kohë pandemie e vuri më në dukje dobinë e oksigjenit.
Mbjellja e pemëve në liqenin e Farkës sipas Kryetarit të Bashkisë, është gjëja më e mire, ndonëse në fillim populli e quajti si: “ Një ide të çmendur të Lali Erit”.

Kryetari i Bashkisë do ta vlerësonte Turjan Hyskën si një individ që nuk e zë lopata, pasi marrëdhënia e këtij të fundit me lopatën, sipas Erion Veliajt ishte një marrëdhënie e zhërvjellët.
Turjan Hyska do të shprehej se mushkëritë e një qyteti kanë shumë rëndësi.

E ftojmë zotin Turjan Hyska të bëjë një xhiro në qendër të Tiranës dhe të shohë mushkëritë e betonizuara të këtij qyteti. Pasi t’i ketë pare mushkëritë prej betoni, të ketë mirësinë mos të na rrëfejë përrallën që një peme që mbillet sot në liqenin e Farkës do të trashëgohet nga brezat në të ardhmen.

Jo veçse mushkëritë kanë nevojë për oksigjen, por edhe mendimi i Turjan Hyskës ka nevojë për frymëmarrje, pasi ndërkohë që Turjani mbjell një pemë në liqenin e Farkës, Erion Veliaj mbjell një kullë në Tiranë.

Ndaj Turjan Hyska dhe të ngjashmit e tij, të kenë mirësinë mos të na fyejnë shqisat dhe mos të sajojnë një kryeqytet që nuk ekziston, pasi ne jetojmë në këtë qytet, vëzhgojmë sakatimin e tij të përditshëm dhe rrezikojmë të asfiksohemi nga ky sakatim.

Post Scriptum- Krejt ‘’’ rastësisht”” ndodh që vëllai i Turjan Hyskos, Eljo Hysko është deputet i Rilindjes.
Elona Caslli