15 vjeçarja indiane përzgjidhet njeriut i vitit për revistën “Time”

Gitanjali Rao është nominuar si “Njeriu i ri i vitit” për vitin 2020 nga e përjavshmja amerikane “Time”. 15-vjeçarja me origjinë indiane jeton në Denver, Colorado, dhe ka shpikur disa aplikacione të reja teknologjike, mes të cilave dhe një pajisje për të zbuluar shkallën e ndotjes në ujin e pijshëm dhe një aplikacion për të verifikuar bullizmin online.

Gitanjali u zgjodh midis 5 000 të rinjve amerikanë. Emri i saj ishte në mesin e 5 finalistëve të zgjedhur nga një juri të rinjsh të koordinuar nga prezantuesi televiziv, Trevor Noah.

Në një intervistë me Angelina Jolie – aktore dhe ambasadore e çështjeve humanitare – Gitanjali është shprehur: “Unë nuk jam shkencëtarja tipike: zakonisht ajo që shoh në televizione është një mashkull i bardhë i një moshe të caktuar. Padyshim që unë jam ndryshe. Qëllimi im nuk është vetëm të shpik diçka për të zgjidhur problemet, por edhe të jem shembull për të tjerët. Nëse unë mund ta bëj, mund ta bëni edhe ju!”.

Revista Time “zgjedh” njeriun e vitit që nga viti 1927. Me kalimin e kohës, revista e përjavshme amerikane futi edhe gratë në listën e të nominuarve dhe këtë vit kaloi në kategorinë “I riu i vitit”. Vitin e kaluar, Greta Thunberg, aktivistja e re suedeze 16-vjeçare, u zgjodh “Njeriu i vitit”.