Gelanda Shkurtaj – Kush i rivrau të persekutuarit!

Nga Gelanda Shkurtaj

Në kapërcyell të viteve ’90, të dënuarit politikë nga regjimi komunist, tanimë të ndodhur jashtë burgjeve dhe kampeve, e gjetën mbështetjen dhe shpresën e tyre në partinë e re, të krijuar në fillesat e pluralizmit politik shqiptar.

Në tunelin e errët e të paqartë të tranzicionit që po niste, ata shihnin dritë në fund të tij sepse ishin optimistë që diçka e re do të udhëhiqte jetën e tyre të brengosur, ku ahime’ nuk do të provonin më pushkatime dhe internime, e nuk do të dëgjonin më për luftën e klasave.
Ata ishin shpresëplotë në kërkesat e tyre se do të vihej e vërteta në vend, do t’u kompensohej koha e burgut, do t’u ktheheshin pronat, do t’u rivendosej dinjiteti dhe, mbi të gjitha do t’u kthehej drejtësia e munguar. E djathta e sapongritur bëri një punë të pamohueshme në lidhje me kompensimin ekonomik dhe pronësor të të persekutuarve, arsimimin, rehabilitimin, edhe pse nuk i përmbushi dot tërësisht.

Por, po ajo e djathtë, e cila duhej të kishte interes parësor dhënien e drejtësisë për të persekutuarit, me modelin e saj udhëheqës, shumë të ngjashëm me atë të qeverisë së saporënë, si edhe e papastruar nga elementët e kastës komuniste në brendësi të saj, nuk i dha më shpresë se do të luftonte në emër dhe për interesat e tyre, veçanërisht për dënimin e persekutorëve. Kjo përballje nuk u ndërmor as në kohën e duhur dhe as me hapat e studiuar drejt një drejtësie tranzitore.

Arsyet gjenden në strategjinë e gabuar politike, ku ndëshkimi i kastës përgjegjëse për dhunën dhe krimet e kryera të shtetit diktatorial nuk u bë kurrë prioritet përpara karrierës politike dhe interesave të saj klanore. Në të kundërt, e djathta, kinse për të kompensuar moralisht të persekutuarit, nisi luftën “e dytë” të klasave, duke i dhënë llagapin “të kuq” gjithkujt që kishte punuar në kohën e Partisë së Punës, duke vënë barazimin në këtë kategori, midis spiunëve dhe kriminelëve, dhe njerëzve të ndershëm që kishin besuar me naivitet dhe në padijeninë e tyre, te modeli unikal i Partisë së Punës.

Ky ishte një gabim fatal e i dyfishtë: së pari sepse përçau prapë shqiptarët, nga ku mijëra njerëz të pafajshëm që as nuk kishin idenë e ndasive politike e jo më të kishin bërë keq, nisën të distancohen moralisht nga ajo. Së dyti, sepse gati-gati krijoi një model të ngjashëm me luftën e klasave, e cila nuk ndihmonte as kauzën e të persekutuarve dhe as qëllimin e e vërtetë dhe të drejtë, për të cilin luftonin. Natyrisht, ata mbetën të izoluar, pasi ndëshkim i kriminelëve për ta nuk donte të thoshte rindarje klasore, pasojat e së cilës i kishin vuajtur vetë mbi supe, dhe as ndëshkim të funksionarëve të diktaturës për krimin e “konsumit të kafeve”. Krimet dhe kriminelët e vërtetë të komunizmit mbetën të pandëshkuar!

Të persekutuarit, në kalvarin e gjatë postdiktaturë, nga politika shqiptare nuk kanë marrë të plotë as dënimin e atyre që i dërguan padrejtësisht burgjeve dhe as vënien në vend të nderit të përligjur. Ajo, që kësaj shtrese i interesonte më shumë, ishte vënia në vend e së drejtës së mohuar, ose të paktën bërja e njohur publikisht e kriminelëve dhe e persekutorëve, gjë e cila ende nuk është bërë deritani.

Zemërata e tyre klith sot tek sheh që ish-funksionarë të lartë të diktaturës, të dënuar për veprimet e tyre kriminale, kanë marrë kompensimin moral dhe financiar për shkeljet që demokracia iu bëri atyre (!), të persekutuarit ende jo (!).

DREJTËSIA E MOHUAR E SË MAJTËS

Është i kuptueshëm interesi i së majtës, për mos t’u përballur me krimet që paraardhësit e tyre u kanë bërë të përsekutuarve politikë. Së pari, sepse e majta e sotme ndarjen me Partinë e Punës nuk e ka bërë asnjëherë, qoftë edhe për demagogji, por përkundrazi e ka proklamuar publikisht se është pasardhësja e PPSH-së. Një argument që demostron se të persekutuarit nuk kanë hyrë asnjëherë në programin e tyre politik, aprovohet nga fakti i vërtetë i mosdhënies të asnjë qindarke nga viti ’97 deri në vitin 2005.

Edhe kalvari i hapjes së dosjeve nuk rresht së treguari se ka një grup interesash që qartësisht po jep mesazhin se nuk do që dosjet të hapen (!). Për çfarë arsye? Kanë frikë? Nëse po, përse? Apo e bëjnë për një arrogancë rivaliteti midis partive që drejtojnë këtë vend? Nëse është frika se mos fjala vjen “hakmerren të persekutuarit”, kjo do mund të ishte përballur në kohë dhe me mjetet që e gjitha drejtësia tranzitore ofron. Gjykohet se arsyeja është një dhe e vetme: duan të mbrojnë grupet e tyre të interesit, familjarët dhe ish-eprorët apo bashkëpunëtorët e tyre në krimet e periudhës së diktaturës. E thënë më shkurt, ish-spiunët dhe xhelatët, të cilët, në fillimet e demokracisë veshën kostumin e paqedashësve dhe u infiltruan deri në instancat drejtuese të poleve politikë, pa asnjë dallim.

Asnjëherë nuk është qartësuar fakti se përse dosjet e krimeve të komunizmit, të persekutorëve dhe bashkëpunëtorëve të sigurimit famëkeq, në vend që të bëheshin publike që në ditët e para të demokracisë, u klasifikuan si “sekret shtetëror” dhe u kaluan nën drynin e SHIK-ut. Edhe aktet ligjore të miratuara apo edhe “Komisioni Bezhani” ishin tejet pak për të nxjerrë kush ishin kriminelët e së djeshmes. Nga ana tjetër, e majta ra dakord në vitin 2015 që këto dosje t’i shkojnë autoritetit për informim plot 25 vjet pas rënies së diktaturës, vetëm për qëllime njohjeje dhe jo ndëshkimi.

Vallë, vërtet hedhin “hi syve” për të besuar se të persekutuarit kishin nevojë për informata? Jo! Ata ndofta edhe e dinë kush i spiunoi apo dhunoi, por kanë nevojë të çojnë të drejtën në vend. Kësaj i shtohet edhe argumenti se kjo vonesë, afërmendsh, shkon në favor të një fakti demografik, ku shumë prej dhunuesve dhe spiunëve tanimë ishin ndarë nga jeta. Ky fakt ecën përkrah dyshimeve se çfarë manipulimesh mund të jenë bërë me ato dosje? Fjala vjen, se kush i pa, kush i preku? Mos vallë shumë nga ato u dogjën apo u zhdukën?

Askush nuk përgjigjet për to. Si të mos mungojnë faktet e mësipërme, është i freskët vendimi i të majtëve në Parlamentin shqiptar, për të mos hetuar krimet e komunizmit, që e djathta e kishte shtrirë edhe për afatin kohor ‘41-‘44. Sigurisht, historia nuk do të mund të mohohet me ligje censuruese. Antagonizmi politik jo vetëm ka qenë prezent në Luftën Çlirimtare, por ka qenë aq i egër në emisarët e LANÇ-it, ku me urdhrat e tyre është arritur eliminim fizik i shumë kundërshtarëve politikë. Dhe këtu flasim për krime të kryera ndaj kundërshtarëve politikë të komunizmit, dhe jo për raste të bashkëpunëtorëve të pushtuesve.

Dhe kjo e vërtetë nuk do as prova dhe as replikë, pasi faktet historike të shkruara e të publikuara për to janë testamente të gdhendura. Revoltat e para politike në ‘45-ën nuk nisën nga hiçi, por ishin vazhdim i një konflikti ideologjik midis së majtës dhe së djathtës që prej Luftës Çlirimtare. Duke vepruar në këtë mënyrë, të majtët e sotëm nuk janë aq naivë të besojnë se kjo do t’u japë ndonjë frut në favor të mohimit të historisë.

Ata janë në një “ngërç”, nga i cili pushteti dhe arroganca nuk i ndihmon dot për të dalë, prandaj duke përdorur mjetin më të njohur prej tyre, dhunën, përpiqen që të mohojnë historinë, e cila i implikon ata kokë e këmbë për krimet në diktaturës. INDIFERENCA E NJERËZVE Për shumë shqiptarë të thjeshtë, që nuk i përkisnin as klasës së të persekutuarve dhe as klikave të spiunëve apo persekutorëve, nisja e tranzicionit ishe një e ardhme totalisht e paqartë. Ndryshimi politik i ‘90-ës, i gjeti të indoktrinuar deri në palcë me idenë se të persekutuarit, ishin tradhtarët e atdheut.

Në të kundërt, ata në fillimet e tranzicionit e shihnin tunelin pa dritëdalje, dhe kapërcimin e kësaj faze e kishin akoma më të rëndë, pasi modeli i vetëm politik në dijen e tyre të kufizuar, sapo kishte rënë. Ata nuk e njihnin ekonominë e tregut dhe hapja e Shqipërisë ishte ankthi që i gjeti krejtësisht “të huaj” në tokën e tyre. Mbijetesa për ta u bë motivi i ditës, ndaj intelektualë e ushtarakë, atdhetarë e të ndershëm përfunduan me një peshore dhe banane buzë Lanës për të fituar bukën e gojës. Në këtë mishmash politikë, problemet e ish-të dënuarve, nuk morën as vëmendjen dhe as interesin e duhur që koha e kërkonte. Ata u keqkuptuan si pjesë e interesit të një grupimi politik, i cili kishte dalë hapur kundër çdo shqiptari që nuk e pranonte atë, me ose pa të drejtë.

Kjo dikotomi sociale ndodhi në një kohë tejet delikate, e cila do të përcaktonte në mënyrë determinante fatin e përkrahjes së kauzës së të persekutuarve dhe të hapjes së dosjeve, të cilat mbartnin brenda tyre 40 vjet dëshmi të kriminelëve që vranë gjashtë mijë shqiptarë përgjatë një lufte pa pushtues. Besohet se sot, nëse do të pyetej një ish-i persekutuar se çfarë do kërkonte nga drejtësia, përgjigjja më shumë se të njihte vrasësin apo spiunin, do të ishte që e vërteta të dëgjohej dhe njihej nga kushdo vendas. Përkundrejt kësaj ndjesie, ata prej tridhjetë vjetësh nuk po marrin, në pjesën më të madhe, mbështetjen e bashkëkombësve të tyre. Ka shumë syresh të indoktrinuar, që, po t’i pyesësh për të dënuarit e regjimit, të përgjigjen akoma se ata “ishin armiq” (!).

Dhunuesit e djeshëm duket se janë rehabilituar edhe nga opinioni publik, ndërkohë që qëllimi i kauzës së të persekutuarve sot, ndofta më shumë se edhe në ditët e para të demokracisë, është në një udhëkryq, e kërcënuar për t’u fshirë nga harresa kolektive dhe nga ringritja në pushtet e bijve të kriminelëve të diktaturës. Krimet e komunizmit studiohen dhe vihen në dukje nga nismëtarë privatë apo fondacione filantropësh, por ato nuk janë strategji e politikës shtetërore dhe nuk janë të njohura nga gjithkush.

Atë që shumë protagonistë të politikës nuk kanë kuptuar në tërë këto vite tranzicioni, është fakti se vendosja e së drejtës për të persekutuarit, nuk është as privilegj, as lojë dhe as arrogancë në dorë të tyre, por është një çështje kombëtare. Moszgjidhja e saj do të mbartë zvarrë pavarësinë ideologjike, pluralizmin politik, demokracinë dhe paqen shqiptare.

*Lektore e së Drejtës