Çfarë na pret përgjatë shekullit ku kemi hyrë prej 20 vitesh? Lexoni librin “Homo deus”

Nga Selim Kurti
__________
Çfarë na pret përgjatë shekullit ku kemi hyrë prej 20 vitesh?
Cila është e ardhmja e Tokës?
Po fati i njeriut në të?
A do të mbeten fetë sisteme reference morale e jo vetëm?
A do t’i shpëtojmë vdekjes?
A do t’i mbijetojmë vetëshkatërrimit?

Këto e qindra pyetje të tjera ekzistenciale marrin përgjigje shumë interesante, me një gjuhë divulgative magnetike e stil që të mban frymën, nga Yuval Noah Harari në “Homo Deus”

Siç dihet prej gjithë lexuesve të mirë, përkthimi – krahas autorit – përbën gjysmën e vlerës së librit. Aulona Ormeni – edhe pse më duket emër i ri – ia ka dalë të jetë elegante, kompetente dhe e përpiktë.

Ja një pasazh për të ngjëruar shijen e këtij libri të mrekullueshëm:
“Tri probleme të njëjta kanë shqetësuar njerëzit në Kinën e shekullit të njëzetë, në Indinë mesjetare dhe në Egjiptin e lashtë: uria, sëmundjet epidemike dhe lufta.

Brez pas brezi njerëzit i janë lutur çdo zoti, engjëlli e shenjti dhe kanë shpikur mjete të panumërta, institucione e sisteme sociale, por përsëri kanë vdekur me miliona syresh nga uria, epidemitë e dhuna.

Shumë mendimtarë e profetë kanë arritur në përfundimin se uria, sëmundjet epidemike dhe lufta janë pjesë integrale e planit kozmik të Zotit ose të natyrës sonë jo të përsosur dhe asgjë më pak se fundi ynë nuk na çliron prej tyre.

Për herë të parë në histori, sot vdesin më shumë njerëz nga ngrënia e tepërt se sa nga uria; më shumë vdesin për shkak të moshës së thyer se sa nga sëmundjet infektive; më shumë njerëz kryejnë vetëvrasje se sa vriten nga ushtarë, terroristë apo kriminelë të marrë së bashku”.

Lexojeni se do ta shijoni së tepërmi e do të mësoni shumë!