Transformimi i PD-së

Nga Indrit Vokshi

Po ta keni vërejtur, askush nuk deklaron më se PD nuk vjen në pushtet dhe se Lulzim Basha nuk bëhet kurrë kryeministër.

Ka qenë sport i përhapur në Shqipëri, sport i organizuar nga Zyra e Propagandës Ramiste, ku analistë, komentatorë, komentues dhe propagandistë tavolinash në bar-kafe, deklaronin njëzëri se PD është dobët dhe Basha nuk do bëhet kurrë kryeministër.

Kjo propagandë ka marrë fund. Nuk ngjit më askund dhe tek askush. Meqenëse nuk munden të propagandojnë se Basha nuk bëhet kryeministër, pasi fitorja e PD ka nisur të shfaqet në horizontin e politikës shqiptare, kanë nisur një tjetër propagandë; po gjykojnë nëse do jetë kryeministër i mirë dhe i merituar.

Pra nga “Luli është i dobët”, nga “Luli nuk vendos vetë”, nga “Lulit nuk i bindet partia e vet”, kemi ardhur tek fjalia e vetë Edi Ramës i cili deklaroi se personi që synon të bëhet kryeministër, duhet të japë llogari para shqiptarëve për kasetën.

Kjo domethënë se Edi Rama qysh sot ka nisur t’i bëjë opozitë kryeministrit të ri. Ka nisur ta trajtojë si kryeministër duke i kërkuar të japë llogari para popullit – sepse i janë rrëzuar të gjitha skemat e tjera. Ishte e pashmangshme, nuk kishte si ndodhte ndryshe. Ndaj rruga e vetme që i ka mbetur është të mos e paraqesë më si të dobët por ta paraqesë si të keq. Tani Lulzim Basha është i keqi dhe i rrezikshmi.

Rama nuk është mirë. Kjo sepse edhe pasi financoi krijimin e partive të reja me mendimin se mund t’i marrë vota PD-së, edhe pasi miratoi ndryshimet kushtetuese me të cilat ndaloi koalicionet, përsëri sondazhet i dalin keq. Shumë keq. PD i rezulton parti e parë, parti fituese e cila mund të ndërtojë koalicion dhe të formojë qeverinë e re.

Sot Lulzim Basha, përfaqësuesi më i lartë i politikës së PD, ndryshe nga viti 2016 apo 2018, është kërcënimi real dhe i pakthyeshëm për kryeministrin Edi Rama.

Edi Rama mendoi se duke bashkuar në një zyrë krimin, biznesin oligarkik, median, prokurorët, gjyqtarët, spiunët dhe gjithçfarë i doli përpara, ai do të ishte i pathyeshëm. Ai harroi një rregull të politikës; një ditë duhet të shpjegohesh.

Shumica e shqiptarëve janë të palidhur me biznesin qeveritar. E kur nuk ke investime, kur nuk ke rritur ekonominë, kur nuk ke pasuruar shqiptarët, përkundrazi e ke varfëruar, kur instalon krimin në shtet, kur grabit çdo pronë të mundshme, kur policia merret me drogë dhe rreh njerëz rrugëve, kur del e shan popullin.. duhet të shpjegosh, çfarë bëre me paratë dhe si e përdore pushtetin? Nuk mund t’i shmangesh për shumë kohë kësaj fature, se të del boja.

Dukeqenëse Rama nuk ka si shpjegon veten, sepse paratë i ka vjedhur, ndërsa pushtetin e ka përdorur për të vjedhur paratë si dhe për teka perverse personale, deri edhe duke iu çuar policinë në shtëpi atyre që i komentonin në facebook, atëherë çfarë bën? Merr përsipër tu shpjegojë Bashën dhe PD-në.

Edhe këtu ka dështuar keq sepse të hënën deklaronte se kjo opozitë është “pa ide, pa program, pa vizion” mirëpo të premten u detyrua të adoptojë propozimin e opozitës për rimbursimin e ilaçeve për të sëmurët me covid.

Në fjalorin dhe propagandën e Edi Ramës, Lulzim Basha nga person të cilit në tre vitet e para (2013-2016) nuk i përmendte as emrin gjoja për ta zhvlerësuar, na është kthyer në terroristin që u zbret të tjerëve në oborr me helikopter. Kjo ndodh prej afrimit të rrëzimit të tij, ngaqë nuk parashikoi se një ditë duhet të shpjegohet; duhet tu shpjegojë shumicës së shqiptarëve se si i përdori paratë e shqiptarëve dhe pushtetin shtetëro.

U harrua propaganda se PD pasi dogji mandatet dhe bojkotoi bashkitë nuk ka më asnjë mundësi për fitore. Sot flitet seriozisht për ardhjen e PD në qeverisje.