Si punësohen vajzat në qendrat estetike në Tiranë, nga masazhatore kthehen në punonjëse seksi

Policia e Tiranës herë pas here njofton mediat për goditjen e qendrave estetike, kryesisht në Tiranë, mbi veprimtarinë e paligjshme që ato kryejnë duke shfrytëzuar vajzat e punësuara si masazhatore. Këto të fundit, gjatë deklarimeve që bëjnë para hetuesve, shpjegojnë edhe mënyrën e rekrutimit të tyre në këto qendra. Puna që u ofrohet, është masazhatore në qendër estetike. Por, shumica prej tyre gjenden përballë “punës” së vërtetë. Kemi të bëjmë këtu me shfrytëzimin e tyre nga administratorët e qendrave estetike, si punonjëse seksi tek klientët e tyre.

Në Gjykatën e Tiranës ka përfunduar i pandehur administratori i një qendre estetike, e ndodhur në rrugën “Margarita Tutulani”, në Tiranë. Shtetasi me inicialet M.M., është akuzuar për veprën penale “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”, bashkë me shtetasen A.D., e akuzuar për “Prostitucion”. Kjo e fundit e punësuar në qendrën estetike si masazhatore, por që aty ofronte për klientët edhe shërbime seksuale. Gjatë gjykimit të çështjes, administratori M.M., nuk e ka pranuar akuzën e ngritur nga prokuroria, duke thënë para gjykatës se nuk kishte dijeni se çfarë bënin punonjëset. Nga ana tjetër, shtetasja A. D., ka pranuar se ka ushtruar prostitucion kundrejt një pagese ekstra në qendrën estetike ku ishte punësuar dhe se këtë gjë ajo e bënte për arsye ekonomike. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Tiranës e ka shpallur të pafajshëm administratorin e qendrës estetike, shtetasin M.M., ndërsa shtetasen A.D., e ka dënuar me 2 muaj burg. Dënim ky, i konvertuar më pas në 4 muaj Shërbim Prove. Por si u zbuluan shërbimet ekstra që ofroheshin në qendrën estetike.

Në datën 01.06.2018, rreth orës 19.00, në këtë qendër estetike është futur për të bërë masazh, personi me inicialet A.H, i autorizuar nga prokurori për kryerjen e veprimeve simuluese. Masazhi i tij është kryer nga e pandehura A. D., dhe personi i autorizuar ka regjistruar gjithë komunikimin “audio” që ka patur me të. Nga tërësia e komunikimit midis tyre, rezulton qartë që e pandehura A. D., kundrejt një pagese i ka ofruar personit të autorizuar, shërbimin seksual, të cilin më pas e ka realizuar plotësisht. Gjithashtu nga biseda ndërmjet tyre rezulton ndër të tjera se e pandehura është pyetur nga personi me inicialet A.H, në lidhje me pagesën e masazhit dhe ajo i është përgjigjur se kushton 3.000 lekë/orë dhe se pagesa kryej po tek ajo.

Në datën 19.09.2018, rreth orës 15:30’, punonjësit e policisë kanë shkuar për kontroll në ambientet e qendrës estetike dhe në ambientet e saj janë gjetur punonjëset K. B., A. D., E. B., dhe J. Gj. E pandehura A. D., e pyetur në cilësinë e personit që tregon rrethana të dobishme për hetimin ka shpjeguar ndër të tjera se kishte filluar punë në qendrën e masazhit rreth dy muaj e gjysëm më parë. Ajo është takuar me pronarët e qendrës, shtetasit M. dhe E. M., të cilët i kanë shpjeguar se masazhi ju bëhej klientëve me mbathje një përdorimshe dhe me peshqir. Ky masazh bëhej në gjithë trupin dhe masazhet kushtonin 1150 lekë/ora, ku ajo përfitonte 400 lekë muajin e parë të punës dhe 500 lekë muajin e dytë, ndërkohë që ka mundur të gjejë klientë, pasi me gjithçka merrej M. Deklaruesja ka pranuar se u ka ofruar shërbim seksual klientëve që shkonin në qendrën e masazhit. Në vijim të hetimit, e pandehura A. D., është pyetur si person ndaj të cilit zhvillohen hetime ku ka konfirmuar ndër të tjera se ka kryer disa herë prostitucion për klientët që vinin në qendrën estetike. Klientët telefononin M., dhe ai planifikonte oraret, të cilat i’a thoshte me telefon asaj. Klientët e siguruar nga M., pasi vinin në qendrën e masazhit kur kërkonin që përveç masazhit t’u ofrohej edhe shërbimi seksual, paguanin edhe për masazhin edhe për shërbimin seksual. Ajo ka deklaruar se nuk e kishte diskutuar ndonjëherë me M., këtë fakt pasi i vinte turp dhe ka qenë thjesht një marrëveshje në heshtje midis saj dhe klientit…”.

Gjatë hetimeve është pyetur në cilësinë e personit që tregon rrethana të dobishme për hetimin, shtetasja K. B., e cila ka shpjeguar ndër të tjera se prej 5 muajsh është e punësuar në qendrën e masazhit dhe këtë vend pune e ka gjetur nëpërmjet rrjeteve sociale, ndërsa në intervistë për punën e ka marrë i pandehuri M. M. Klientët i kanë kërkuar t’i ofrojë shërbime seksuale kur iu bënte masazh, por ajo i ka refuzuar. Pronari i qendrës është M. M., i cili ua ka bërë të qartë se do t’i pushonte nga puna nëse do të bisedonin se çfarë bëhet në qendrat e masazhit. Pronarët e qendrës nuk i kishin kërkuar në mënyrë direkte që t’i ofronte shërbime seksuale klientëve, por i kanë thënë se klienti duhet të ndihej i kënaqur. Ajo ka deklaruar gjithashtu se në një moment i pandehuri M. M., i ka thënë asaj që “nëse klienti i kërkon shërbime ekstra, ti bëje njëherë se nuk të gjen gjë”, por ajo ka refuzuar. Më pas, ai ka vazhduar duke i thënë se “nëse do vazhdojë mos t’i kënaq klientët nuk do e ketë të gjatë në këtë punë