Putin shtyn paradën për 75-vjetorin e përfundimit të LIIB, ja arsyeja

Festimet e Ditës së Fitores, më 9 maj, që shënojnë përvjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në Europë, janë shtyrë për shkak të shpërthimit të koronavirusit, deklaroi presidenti rus, Vladimir Putin.

Rusia kishte planifikuar një paradë masive ushtarake në Moskë me pjesëmarrjen e liderëve botërorë, përfshirë presidentin francez, Emmanuel Macron dhe atë kinez, Xi Jinping.

Bashkimi Sovjetik, më i madhi ndër forcat aleate, pësoi dhjetëra miliona viktima gjatë luftës.

Fitorja ndaj Gjermanisë naziste mbetet një burim i konsiderueshëm i krenarisë kombëtare në Rusi.

Putin inkurajoi rusët që të festojnë në shtëpi më 9 maj dhe të kujtojnë anëtarët e familjes që luftuan për atdheun.

”Në çdo familje në këtë ditë ata do të kujtojnë dhe nderojnë heronjtë e tyre”, tha Putin.