Kina kundërshton presionin e Indisë në industrinë kineze të teknologjisë, ja çfarë po ndodh

Kina, për herë të dytë në vetëm dy ditë, ka shprehur kundërshtimin e saj ndaj masës së Indisë për mallrat elektronike dhe aplikacionet kineze.

“Ajo që bëri India është një shkelje serioze e parimeve të tregut dhe rregullave të OBT-së si dhe të të drejtave dhe interesave legjitime të kompanive kineze,” tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Zhao Lijian në një konferencë shtypi të enjten në përgjigje të një pyetje nga Reuters në lidhje me pengesat e importit të Indisë për mallra elektronike nga Kina.

“I bëjmë thirrje Indisë të korrigjojë diskriminimin ndaj Kinës, për të shmangur dëmtimin e mëtejshëm të bashkëpunimit midis nesh”, shtoi ai.

Zëdhënësi vuri në dukje se thelbi i marrëdhënies tregtare midis Kinës dhe Indisë është me përfitime të përbashkëta për të dyja palët, por vendosja e pengesave në rrugë mund të jetë jo -produktive për biznesin.

Kontrolli i fortë i Indisë për zhdoganimin e mallrave elektronike nga Kina ngadalësoi importin e modelit të ri të “iPhone” të kompanisë “Apple” dhe produkteve të tjera nga kompani si Xiaomi, njoftoi të mërkurën agjencia “Reuters”.

Sipas burimeve zyrtare, veprimet në agjencinë e kontrollit të cilësisë, Zyra e Standardeve Indiane (BIS), kryheshin brenda 15 ditësh, por tani ka raste që disa veprimeve u nevojiten mbi dy muaj.

Vonesa e miratimeve nisi në gusht për importet e pajisjeve të prodhuara nga Kina si smartfonë, ora inteligjente dhe laptopë. Kur iPhone i ri i kompanisë “Apple” u përfshi në vonesa, drejtuesit e “Apple India” i bënë thirrje BIS-it të përshpejtojë miratimin e tij, duke siguruar që kompania do të vazhdojë të zgjerojë operacionet e saj të montimit në Indi.

Vonesat e BIS-it kanë goditur gjithashtu importet e orëve inteligjente për kompanitë si “Xiaomi” dhe “Oppo”.

Deri të mërkurën, 1080 aplikime në BIS për laptopë, tableta dhe pajisje të tjera ishin në pritje, 669 e të cilave kanë mbi 20 ditë që presin, sipas faqes së internetit të agjencisë. Disa nga kërkesat për miratim kanë pritur që nga shtatori.

Të martën, 43 aplikacione të tjera kryesisht kineze për celularë u bllokuan në Indi, duke përfshirë aplikacionin e tregtisë elektronike të “Alibaba”-s, Aliexpress, duke shtuar listat e bllokimeve të shpallura nga qeveria indiane në qershor dhe korrik, të cilat përfshinin TikTok të “Bytedance” dhe “WeChat” të Tencent.