Efektet anësore të mundshme, sa të sigurta janë vaksinat antiCOVID-19?

Drita jeshile nga autoritetet shëndetësore po afron, dozat e vaksinave janë në prodhim dhe qeveritë, laboratorët dhe ekspertët premtojnë transparencë për sigurinë e vaksinave të ardhshme antiCOVID-19, të zhvilluara me një shpejtësi të tillë, sa të ngrenë shqetësime për sigurinë e tyre.

Për të siguruar besimin ndaj tyre do të jetë thelbësore një statistikë, sepse, historikisht, pothuajse të gjitha efektet anësore të vaksinave shfaqen brenda gjashtë javësh nga vaksinimi.

Sidoqoftë, pjesëmarrësit në provat e mëdha klinike të “Pfizer/BioNTech” dhe “Moderna”, vaksinat e të cilëve janë në pozicionin e duhur për t’u autorizuar në dhjetor në SHBA dhe Europë, u kontrolluan për dy muaj, me kërkesë të Agjencisë Amerikane për Kontrollin e Ilaçeve (FDA).

“Dy muaj do të jenë të mjaftueshëm për të zbuluar shumicën dërrmuese të efekteve anësore”, tha Saad Omer, drejtori i Institutit për Shëndetin Global, në Universitetin e Jejlit.

“Zakonisht, FDA kërkon gjashtë muaj ndjekje. Por nëse asgjë e keqe nuk ndodh për dy muaj, nuk ka gjasa që katër muaj të tjerë të zbulojnë ndonjë gjë tjetër”, shtoi ai.

Për më tepër, provat kanë një përparësi shumë siguruese, që është përmasa e tyre: 44 000 pjesëmarrës për “Pfizer”, 30 000 për “Moderna”-n.

Si rrjedhojë, FDA duhet të ketë të dhëna të sigurisë për dhjetëra mijëra persona të vaksinuar.

Kjo është shumë mbi mesataren e 6 700 personave për vaksinat e autorizuara në dekadën e fundit.