Basha: Familjet shqiptare s’mund ta përballojnë, ndaj na duhet qeveri funksionale!

“Ne presim prej qeverisë një ndihmë serioze, jo si këto që kaluam…Ndihmë 200 mijë lekë që as qeranë e një muaji s’e paguajmë dot!” – i tha një biznesmen i vogël në Shkodër, kryetarit të opozitës Lulzim Basha, në takimin që zhvilluan sot në këtë qytet.

Basha iu përgjigj: “Jemi vendi me paketën më të vogël të ndihmës ekonomike. Edhe për bzinesin, edhe për familjet. Ndihma ekonomikë, nëse do të jepej në fillim, do të kishte disa përfitime të drejtpërdrejta. D.m.th, në vend që të detyrohesh të paguash pagesën e papunësisë – që as atë nuk po e paguajnë – duke iu paguar direkt juve, duke iu dhënë një subvencion prej 200 mijë lekësh në muaj, të vjetra, për person, do t’iu jepnim mundësinë që të mos i hiqni nga puna.

Ndoshta do të ulej rroga, do të ishte një rrogë më e ulët atëherë kur nuk kishit mundësi t’i paguanit, pot të paktën nuk do t’i hiqnit nga puna.

Dhe kjo ishte arsyeja pse këtë plan e vumë në dispozicion prej fillimit, e hartuam me ekspertët tanë më të mirë, pamë përvojën më të mirë të rajonit dhe e vumë në dispozicion për t’u zbatuar. Sepse jemi vendi me paketën më të ulët ekonomike dhe kjo është arsyeja pse rënia ekonomike në Shqipëri është sa dyfishi i vendeve të tjera të rajonit.

Edhe me këto ritme, edhe rikuperimi nga kriza sipas parashikimeve të BERZH por edhe të institucioneve të tjera ndërkombëtare, do të jetë dy herë më i ulët.

Sigurisht që ne nuk mund ta lejojmë këtë. Ju nuk mund ta përballoni këtë. Familjet shqiptare s’mund ta përballojnë këtë ndaj na duhet një qeveri funksionale që merr masa të menjëhershme, një qeveri që investon tek shëndetësia, biznesi, sipërmarrja dhe jep ndihmë financiare çdo familjeje, sepse konsumi është problemi kryesor që ka goditur gjithë ekonominë,“ theksoi Kryetari i PD, Lulzim Basha.