SPORT: Për herë të parë në Shqipëri, nis kampionati i futbollit 5×5 i kalçetos

Me 26 nëntor do të nisë për herë të parë në Shqipëri kampionati i futbollit 5 kundër 5 ose siç njihet ndryshe kampionati i kalçetos. Pjesmarrës do të jenë ekipe nga i gjithë vendi, ndërsa sot në ambientet e stadiumit ‘Air Albania’ është hedhur shorti.

“Ky është edicioni i parë i një kampionati të mirëorganizuar në rang kombëtar të futbollit 5×5. Federata Shqiptare e Futbollit duke parë popullaritetin e kësaj loje, që luhet masivisht në çdo qytet futboll 5×5, për t’i ardhur në ndihmë të gjithë atyre që janë të apasionuar me futbollin dhe luajnë futboll, mendoi që të krijojmë një strukturë të posaçme për krijimin e Kampionatit të Futbollit 5×5. Çdo person i cili ka dëshirë të krijojë një skuadër i ka të gjitha mundësitë duke aplikuar pranë Federatës Shqiptare të Futbollit dhe ne pastaj i gjejmë mundësinë për ta inkuadruar në një kampionat në qytetin apo zonën ku jeton”, – tha Nurishmi, përgjegjësi i kësaj disipline në FSHF, duke shpjeguar se ky kampionat do të zhvillohet në rang rajonal, në çdo qytet dhe pastaj fituesit e çdo zone e mini-kampionatit do të zhvillojnë fazën play-off për të shpallur dhe ekipin kampion kombëtar midis fituesve të këtyre zonave.

“Shorti që hodhëm sot ishte vetëm për zonën e Tiranës. Në javët në vazhdim do të fillojmë kampionatin dhe në zonat e tjera të Shqipërisë. Jemi të kënaqur dhe kemi akoma kërkesa, pasi pjesa e regjistrimit nuk është e mbyllur. E kemi lënë të hapur, pasi ka shumë kërkesa dhe ne do të vazhdojmë në ditët e ardhshme të regjistrojmë skuadra të reja”, – theksoi Nurishmi.