Rriten transaksionet cash, mashtrimet, tenderët në shëndetësi, investimet fiktive

Pandemia ka luajtur rol thelbësor në hapjen e kanaleve të reja për pastrimin e parave të pista. Situate e jashtëzakonshme ka rritur ndjeshëm transaksionet me para në dorë, ndërkohë që tenderët e fondeve publikë në shëndetësi po krijojnë hapësira për korrupsion, nga ana tjetër, shumë biznese të gjendura në vështirësi kanë krijuar hapësirë për financime me para të pista. Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave ka shpërndarë një udhëzues me risqet e reja që janë shfaqur si pasojë e pandemisë Covid 19.

Në krye të listës së risqeve qëndron rritja e mashtrimeve në fushën e mjekësisë (përfshirë këtu dhe mashtrimet për investime) dhe shitjet në internet të ilaçeve të falsifikuara dhe furnizimeve mjekësore, siç janë pajisjet e testimit dhe ato që shërbejnë për mbrojtjen personale.

Kriminelët, vijon më tej udhëzuesi shfrytëzojnë problematikën që shoqëron COVID-19 për të instaluar viruse (malware) në kompjuterët personal ose telefonat celular. Ndërkohë që reduktimi I orareve të punës nga institucionet financiare, ka sjellë rrezikun që klientët të cilat nuk janë të familjarizuar me platformat e shërbimit në internet, mund të jenë më të ekspozuar ndaj mashtrimeve ndërkohë që klientët që nuk kanë qasje në këto shërbime mund të transferojnë pasuritë në ekonominë informale.

Abuzimi me fondet qeveritare ose ndihma financiare ndërkombëtare dhe risku i korrupsionit: Kriminelët mund të mashtrojnë në kërkesat që bëjnë për fondet mbështetëse që ofrohen nga qeveria duke u paraqitur si përfaqësues të bizneseve legjitime. Faktorët kryesor të riskut lidhen me;

 Abuzimin e masave stimuluese të ofruara nga programimet qeveritare;

 Ndihma financiare ndërkombëtare dhe risku në rritje i korrupsionit;

Një risk tjetër lidhet me Luhatjet e sektorit financiar: Në kushtet rënies ekonomike, kriminelët dhe terroristët mund të kërkojnë të investojnë në pasuri të paluajtshme ose biznese me probleme, të cilat mund të përdoren për të gjeneruar para dhe për të fshehur të ardhurat e jashtëligjshme. Mënyra të tjera janë dhe përdorimi i fondeve nga aktivitetet kriminale në procedurat e falimentimit të bizneseve apo ristrukturimi i kredive.

Ndërkohë që në rritje gjatë Pandemisë është edhe rreziku I financimit të terrorizmit. Ekziston shqetësimi, sipas Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të parave, që grupet terroriste mund të përdorin krizën e COVID-19 për të mbledhur ose transferuar dhe për të intensifikuar aktivitetin e tyre të jashtëligjshëm.

Lorenc Rabeta / SCAN