“Qeveria u ngut me maskën, duhet vetëm ta rekomandonte. Skandaloze dhënia e antibiotikëve” – Muka

Mjeku epidemiolog,Taulant Muka, vijon ti qëndrojë mendimit se  Shqipëria u ngut për futjen e maskës me detyrim.

Sipas tij, maska mbrojtëse duhet të ishte vetëm si rekomandim pasi studimet kanë treguar se ajo nuk mbron atë që e mban.

Muka: Kam qenë shumë kritik ndaj shumë masave të marra nga qeveria. Përdorimi i maskave ka qenë shumë i nxituar, kam publikuar dhe një studim nga Danimarka që i ndau 6 mijë qytetarë danezë, 3 mijë i këshilloi të përdorinin maskën dhe 3 mijë jo dhe ishte maskë kirurgjikale. Rezultoi se infeksioni në fund të një muaji ishte pothuajse i barabartë në të dy grupet, maska nuk mbron atë që vesh maskën. Të imponosh me detyrim nuk ishte vendimi i duhur, si rekomandim patjetër.

I ftuar në Rtv Ora, ai thotë se qeveria shqiptare duhet të rishikojë edhe vendimin për hapjen e Universiteteve.

Muka: Nëse evidenca e fundit tregon se ka shumë pak mundësi që asimptokatikët të infektojnë të tjerët dhe grupmosha e re, kryesisht fëmijët dhe të rinjtë janë asimptomatikë, sigurisht që hapja e shkollave dhe universiteteve duhet rikonsideruar. Nga ana tjetër përdorimi i maskave te fëmijët është i patolerueshëm. Ka studime në botë që tregojnë se mbyllja e universiteteve dhe shkollave mund të shoqërohet me dëme jete në të ardhmen te fëmijët pasi mund të vonojë dhe formimin social dhe arsimor të tyre. Është me rëndësi të reflektohet, duhet të ishin krijuar kushtet me kohë.

Muka thotë se Shqipëria duhet të kalojë në nivel lokal të menaxhimit të pandemisë.

Muka: Nuk kam pse një pacient me Covid në Shkodër të vijë në Tiranë vetëm në rastet kur ka nevojë për mjekim të specializuar. Apo në Lushnje. Centralizimi i menaxhimit të Covid ka sjellë këto dëme kolaterale.

Moslejimin e kontaktit të pacientëve me Covid të shtruar në spitale me familjarët e tyre e sheh si problem.

Muka: Është e pajustifikueshme, nëse studimet e fundit tregojnë se pas ditës së 9 të infektimit nuk kapet gjallë virusi te pacientët, nuk infektohet, nuk ka arsye pse pacienti të mos takojë familjarët. Vërtet ne duhet të ulim deri në njëfarë niveli kontaktet sociale por kontaktet sociale ulin stresin, sëmundjet kardiovaskulare, diabetin, vdeshmërinë. Izolimi është i shoqëruar me shumë efekte të jashtëzakonshme.

Ndërkohë pamjet nga morgu i Tiranës por edhe të pacientëve nga spitalet Covid nuk i sheh aspak etike.

Muka: Nuk është aspak etike, edhe të publikosh pamje të pacientëve te Infektivi. Janë të dhëna skandaloze por përhapin dhe panik në popullatë. Është përgjegjësi e shtetit që nuk e menaxhon mirë situatën dhe e lejon të degradojnë në nivele të tilla. Është një këmbanë alarmi.

Kritika ka edhe për mjekimin e pacientëve.

Muka: Është skandaloze, kur shikoja që jepnin antibiotikë pa kriter, mund të mos kishte fare simptoma, antibiotiku ul dhe imunitetin. Protokollet në Shqipëri duhet të jenë për çdo sëmundje. Protolli i Covid duhet të përditësohet dhe të mos mbitrajtohet