Në çadër edhe një vit pas tërmetit| Familjet e prekura duan ndihmë, por askush nuk i dëgjon


Ky është Luan Braçi, banor i fshatit Shkallnur në Durrës.

Edhe pas një viti nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit vazhdon të jetojë i vetëm në çadër pasi shtëpia e tij mori dëmtime të shumta nga lëkundjet sizmike. Luani thotë se jetesa është bërë edhe më e vështirë pasi nuk ka marrë asnjë ndihmë nga ana e autoriteteve.

LUAN BRAÇI – BANOR I FSHATIT SHKALLNUR

Kur ka diell nuk rrihet brenda. Kur ka shi apo është ftohtë ka grasi. Pastaj del dielli zë myk. Ne nuk kemi asgjë. Atë që kemi e hamë. Kjo është tavolina ku ha unë bukë.

Shtëpia ku ai jetonte është klasifikuar me shkallë dëmtimi DS2, por Luan Braçi shton se është e pamundur që ajo të rregullohet me 2.5 milionë lekë të vjetra.

I kemi letrat aty që është e pabanueshme. Dhe ne na e kanë nxjerrë DS2. Ne se kemi pranuar. Kemi bërë kërkesë, por akoma s’ka ardhur komisioni i institutit të ndërtimeve. Kur do vijë? Nuk shpresoj për gjë. Muajin e parë erdhën ndihmat tani s’kemi marrë gjë.

I lodhur nga kushtet e vështira me të cilat po përballet dhe pritja e gjatë, Luani i ka humbur shpresat për rindërtimin e shtëpisë.

Ndërkohë nga ana tjetër, bashkia thotë se procesi i rindërtimit po vazhdon me ritme të shpejta dhe se të gjitha objektet e dëmtuara do të t’i nënshtrohen rikonstruksionit.