Astrit Lulushi – Harmoni

Astrit Lulushi

Çdo rrethanë ka prirje të nxisë imagjinatën. Në vitet kur nuk ekzistonte asnjë lloj lirie dhe marrëdhëniet me vendet e tjera ishin plotësisht fiktive, jo-ekzistuese, ndërtesa më e madhe qeveritare ishte ajo e Ministrisë së Jashtme, për të cilën flitej nënzë se ishte përgatitur për ambasadë kineze, derisa një ditë marrëdhëniet u prenë. Harmonia e brendshme mungonte, megjithëse parullat thonin ndryshe. Në atë kohë Tirana ishte qytet tjetër; njerëzit ecnin si në procesion. Bulevardi i ngjante një sheshi parade Mardi Gras, ku kasapët lëshojnë kaun më të dhjamur nëpër rrugët e zbukuruara me kurora, ndërsa turma parakalon me muzikë dhe flamuj; ishte si betejë midis atyre që qëndronin dhe luftonin mbi një dërrasë midis dy anijeve, dhe ai që nuk binte në ujë ishte fituesi…, por jo gjithnjë.
Ka gjëra që janë përtej fuqisë sonë. Por brenda fuqisë janë mendimi, qëllimi, dëshira, neverija dhe çfarëdo çështje që është e jona. Përtej fuqisë sonë janë trupi, prona, reputacioni, pozita dhe të gjitha që nuk janë punët tona. Gjërat brenda fuqisë janë nga natyra të lira, të pakufizuara, të papenguara; por ato përtej fuqisë sonë janë të dobëta, të varura, të kufizuara, janë të huaja, nuk janë tonat. Mos harro, pra, se nëse ia atribuon lirinë gjërave nga natyra të varura dhe quan tënden atë që i përket tjetrit, do të pengohesh, do të ankohesh, do të shqetësohesh, do të gjesh gabime tek të gjithë, edhe tek Zoti, por kurrë tek vetja.
Njeriu nuk shqetësohet nga gjërat, por nga pikëpamja që ka për ‘to, thotë Epictetus (The Art of Living). Kështu, vdekja nuk është e frikëshme, përndryshe e tmerrshme do t’i ishte shfaqur Sokratit. Për ‘të vdekja ishte çast i lumtur. Por terrori i idesë së vdekjes është i tmerrshëm.
Kur njerëzit janë të shqetësuar, ose të pikëlluar, për këtë nuk duhet t’ia hedhin kurrë fajin të tjerëve, por vetvetes – domethënë pikëpamjeve të veta. Është veprimi i një personi të lirë të papenguar të qortojë të tjerët për fatkeqësitë e tij, duke mos fyer as të tjerët dhe as veten, pa u gëzuar në asnjë përsosmëri që nuk është e tij. Nëse një kal thotë se është i bukur, lavdet e tij për veten edhe mund të durohen. Por kur ngazëllehesh e thua: “Unë kam një kal të bukur”, dije që je i gëzuar vetëm për meritat e kalit. Çfarë është atëherë e jotja, veç përdorimit të anës së jashtme tē ekzistencës. Kështu, kur njeriu është në harmoni me natyrën, do të kënaqet, sepse do të ndjehet i lumtur për ndonjë të mirë të vetes.

more recommended stories

loading...