🔴Kakavijë| Pala greke grevë 24 orëshe, sot mbyllet kalimi në doganë

Pika e Kalimit Kufitar në Kakavijë do të qëndrojë e mbyllur gjatë ditës së sotme, deri mëngjesin e nesërm. Kjo pasi, punonjësit e palës greke kanë njoftuar se do të bëjnë një grevë 24 orëshe. Greva e tyre, vjen pasi kërkojnë rritje page, pagesë të orëve shtesë si dhe plotësimin e kushteve të punës.

Njoftimi është bërë i ditur që ditën e djeshme nga Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit në Gjirokastër, të cilët thanë se cila kategori do të lejohet të kalojë për në shtetin grek.

Kakavija është mbyllur nga ora 07:00 e mëngjesit të sotëm deri më 25 nëntor 07:00 me orën lokale të Greqisë. Në këtë hark kohor nuk do të lejohen të kalojnë automjete si motoçikleta, autovetura, furgonë që transportojnë qytetarë dhe kamionët që transportojnë mallra.

Përjashtim do të ketë vetëm për udhëtarët këmbësorë, kamionët që transportojnë mallra ushqimore që ruhen në kushte frigoriferike, kamionët që transportojnë kafshët e gjalla dhe automjetet për raste emergjente shëndetësore apo raste vdekjesh.

Kjo grevë është një paralajmërim nga ana e punonjësve, që nëse nuk plotësohen kërkesat, greva do të përshkallëzohet. Kakavija ishte pika e vetme e kalimit kufitar që është e hapur me Greqinë, si një masë parandaluese për të frenuar përhapjen e COVID-19. Ajo do të jetë e mbyllur vetëm ditën e sotme, ndërsa nga mëngjesi i ditës së nesërme do të hapet sërish