Tomorr Aliko: Ju rrëfej genocidin komunist ndaj intelektualëve shqiptarë

– Kur nisi konkretisht genocidi komunist ndaj intelektualëve shqiptarë?

Ky genocid filloi që gjatë luftës, sidomos pas Konferencës së Mukjes dhe vazhdoi egërsisht pas uzurpimit të pushtetit nga diktatori Enver Hoxha. Ishin ditët e fundit të nazifashizmit në Shqipëri. Atëherë kur populli shqiptar priste një fillim të mbarë, nisjen e proceseve demokratike. Pikërisht nga 28 tetori deri më 16 nëntor 1944, Tirana përjetoi terrorin me ekzekutimet masive (pa gjyq) ndaj patriotëve, intelektualëve dhe ish-funksionarëve të lartë të shtetit. Tirana u mbyt në gjak. Me urdhër të diktatorit E.Hoxha njësi speciale partizane me lista kundërshtarësh vrisnin nëpër rrugë dhe para syve të familjarëve, pasi ata shikoheshin si rrezik në mbajtjen e pushtetit. Sipas dëshmive okulare, numri i të ekzekutuarve i kalonte 100 vetë. Por të identifikuarit të atyre ditëve ishin 38 martirë, shumica oficerë të ushtrisë kombëtare. Masakra e Tiranës është dëshmia më e saktë që pagëzoi me gjak dhe dhunë lirinë e shqiptarëve, e cila për gjatë gjysmë shekulli të çmendur rezultoi se ishte pema e genocidit ndaj shtresës elitare të shoqërisë shqiptare. Këta intelektualë, kishin treguar se ishin një shtresë fisnike me sistemin e vlerave të shoqërisë shqiptare.

– Kur filluan gjyqet speciale?

Gjyqi i parë special u hap në mars – prill 1945. Zhvillohej një nga gjyqet më absurde dhe më të pamotivuar nga ana juridike. Grupi i gjyqtarëve me kryetar gjeneral leitnant Koçi Xoxe, jep vendimin “në emër të popullit”, duke çuar para grykave të zjarrit 17 burra shteti dhe dhjetëra të tjerë u dënuan me burg të rëndë, megjithëse ata nuk kishin kryer asnjë krim, përveçse kishin qenë shtetas të denjë të vendit të tyre. Gjithçka pasqyrohet hollësisht në filmin dokumentar. Në vitet 1945-1948 nacionalizmi shqiptar pësoi persekutimin më barbar. Diktatori E.Hoxha ngarkoi ministrin e Brendshëm, Koçi Xoxe, për kryerjen e këtij misioni, i cili vuri në zbatim direktivat e Byrosë Politike për asgjësimin e kundërshtarëve të partisë-shtet.

Në këto rrethana elementët kundërshtarë nisën të grupoheshin dhe të reflektonin rreth këtij uzurpimi. Pasqyrë ishin zgjedhjet e dhjetorit 1945, të cilat edhe pse u monitoruan nga perëndimorët, liria e tyre u mbyt nën tamtamet delirante të partisë nën terrorin policor dhe dënimet me ngut për elementë të dyshimtë si opozitarë. U piketuan elementë nga Fronti i Rezistencës, legaliteti dhe grupimi social demokrat. Me kryetarët e grupeve, Sami Qeribashi, Qenan Dibra dhe Musine Kokalari, u bashkuan edhe intelektualë të tjerë si Suat Asllani, Baltezar Benusi etj. Një ndër më të spikaturit ishte dhe Gjergj Kokoshi, ministër i Arsimit në qeverinë e E. Hoxhës, i cili kish qenë pjesë e luftës NÇL dhe që kish deklaruar: “Atje ku nuk ka pluralizm nuk ka demokraci”. Në janar 1946 shpërtheu një valë e madhe arrestimesh dhe ju nënshtruan torturave më çnjerëzore, thejsht sepse kishin guxuar sipas Kushtetutës, të dilnin në opozitë. Gjykata e Lartë dha vendimin; 9 me pushkatim dhe dhjetëra të tjerë me burgim të rëndë.

Më 8 nëntor 1946, filloi gjyqi special ndaj “sabotatorëve” të tharjes së kënetës së Maliqit në Korçë. Një akt tjetër miozor. Të aktuzuarit ishin inxhinierë dhe teknikë, ish-studentë të diplomuar nga shkolla shqiptaro-ameriakne “Harry Fulz”. Gjykata e Lartë Ushtarake dënoi me varje në litar inxhinierët Abdyl Sharra dhe Kujtim Beqiri, kurse me pushkatim inxhinierët Vasil Nano dhe gruan e tij, Zyrakën me foshnjen në bark. Inxhinierin italian Euxhenio Skaturo dhe inxhinierin Mirush Përmeti. Dënohen me burg të rëndë 12 teknikë. Por gjëmat e regjimit komunist nuk kishin të mbaruar.

Disa ditë para largimit të misionit diplomatik të SHBA nga Shqipëria si pasojë e politikës diktatoriale të partisë-shtet, filluan arrestimet masive ndaj kuadrove të dalë nga shkolla teknike “Harry Fulz”. Sigurimi i Shtetit prangosi 80 intelektualë, faji i të cilëve ishte sepse ishin ushyqer me edukatën dhe kulturën perëndimore. Të pushkatuarit dhe të vdekurit në qeli ishin 22 vetë, kurse me burgim të rëndë ishin me qindra. Ata akuzoheshin si spiunë të agjenturës amerikane. Prokurorët xhelatë Nevzat Hasnedari, Petrit Hakani, Siri Çarçani, etj., u dalluan si më të tmerrshmit për masakrimin.

– Ç’ndodhi me grupin e deputetëve me pikpamje properëndimore?

Kishin kaluar dy vjet nga zgjedhjet parlamentare ku ishin zgjedhur deputetë disa kandidatë nacionalistë, anëtarë të frontit NÇL si Shefqet Beja, Kol Kuqali, Sheh Karbunara, Selaudin Toto, Koço Boshnjaku, Faik Shehu, Islam Radovicka, Kol Rodhe, etj. Mirëpo, demagogjisë komuniste shpejt do t’i dilte kallaji. Në vitin 1947 Qeveria komunsite ndërmori një nga raprezaljet më të mëdha, ndërmori një terror shtetëror. Opozitarët kundërshtarë u arrestuan dhe u dënuan me akuza nga më të pabesueshmet. Trupi gjykues me kryetar major Niko Çeta dhe prokuror Josif Pashko, dënoi me varje në litar Shefqet Bejën, inxhinierët Riza Alizoti dhe Sulo Klosi, dhe me pushkatim 16 të tjerë. Kurse me burg të rëndë 26 intelektualë dhe patriotë shumica e të cilëve vdiqën në qeli e burgje.

Historia e diktaturave ka treguar se çdo regjim për të përligjur aparatin shtypës si forcë dhunuese ka nevojë të krijojë armiq. Nuk kishin kaluar as tre muaj nga i ashtuquajturi gjyq i deputetëve, më 31 dhjetor 1947 u zhvillua gjyqi i grupit të Riza Danit, edhe ky deputet, pa dëshmitarë dhe pa mbrojtës, por vetëm u komunikaua vendimi i Këshillit të Gjykatës së Lartë Ushtarake ku jepet vendimi për 19 vetë. 6 u pushkatuan, 5 u dënuan me burg të përjetshëm, dhe të tjerët me burg të rëndë. (Gjithçka pasqyrohet në filmin dokumentar).

– A mund të na thoni diçka rreth hedhjes së bombës në Ambasadën Sovjetike?

Shteti i diktaturës asnjëherë nuk do të ndalej së fabrikuari ngjarje e kurthe për eliminimin e kundërshtarëve politikë. Më 19 shkurt 1951, në oborrin e ambasadës sovjetike u hodh një bombë ku u thyen 2-3 xhama. U vu në lëvizje krejt qeveria dhe Byroja Politike. U bënë arrestime masive, duke trumbetuar “për armikun e klasës”, që kërkonte të prishte urat e miqësisë me Bashkimin Sovjetik. U arrestuan në Tiranë 22 vetë dhe u nxorën në gjyq me dyer të mbyllura. Gjykata e Lartë Ushtarake dha vendimin; 22 me pushkatim, ndër ta edhe intelektualen Sabiha Kasimati. Në mesnatën e 26 shkurtit 1951 i nxorën nga qelitë, duke i lidhur me tela hekuri njëri me tjetrin. Ata nuk e dinin se ku po i çonin, sepse as i kishin gjykuar dhe as nuk ua u kishin dhënë mandatën. Që nga ajo ditë kanë kaluar 57 vjet dhe mendimi i përgjithshëm është se bombën në ambasadë e hodhi Sigurimi i Shtetiti për të eliminuar edhe ata pak intelektualë që kishin mbetur. Të gjitha ngjarjet e përmendura më sipër në harkun kohor nëntor 1944-1951, përbëjnë epiqendrën e një tërmenti njerëzor në truallin shqiptar. Qindra mijëra drama njerëzore do të krijonin hendekun e pakapërcyeshëm klasor me pushtetin komunist.

– Po me komunitetet fetare si u veprua?

Po aq tragjike e mizore ishte fati i komuniteteve fetare. Në atë tmerr që do të provonte feja në Shqipëri. S’kishte ndodhur në asnjë vend të botës, që kultet fetare të nxirreshin jashtë ligjit. Rekordin e masakrave e mban Kleri katolik ku 60 e ca klerikë u pushkatuan apo vdiqën në qeli e burgje. Po këtë fat patën edhe klerikët bektashianë, muslimanë e ortodoksë. Diktatura komuniste nuk do të ndalej përpara asnjë lloj krimi, cilatdo qofshin viktimat.

-Ç’mund të na thoni në lidhje me gjyqet ushtarake dhe burgjet?

Gjyqet ushtarake vepronin në mbarë vendin. Burgjet dhe qelitë shumoheshin. Atje mbyllej trupi dhe shpirti i shqiptarëve që kërkonin liri dhe demokraci. Mjerë ata që vuajtën dhe hoqën në ferrin e gjatë komunist. Është thënë shumë e prapë do të thuhet e do të kujtohet për këto ngjarje të tmerrshme, por a do t’na besojnë fëmijët tanë? Prandaj dokumentimi i krimeve të E. Hoxhës dhe totalitarizmit komunist është mëse e domosdoshme me qëllim që të kuptohet se sa dëm kanë sjellë, sa dhimbje e hidhërime kanë shkaktuar, sa nëna lidhën shamitë e zeza, sa gra mbetën pa burra, sa fëmijë u rritën jetimë. Nuk e meritonte ky vend të ndëshkohej kaq rëndë. E drejta nis nga drejtësia, gabimi i gjatë kthehet në faj dhe faji i ndërgjegjshëm kthehet në krim.

Le ta fillojmë me burgun e vjetër dhe burgun e ri të Tiranës dhe 130 qelitë varreza për së gjalli. Nga këto burgje e qeli u nisën drejt vdekjes qindra burra dhe gra, faji i të cilëve ishte se urrenin komunizmin. Në filmin dokumentar nëpërmjet fotografive shihet krenaria e tyre, si përshembull oficeri i karrierës Aqif Haveriku, i cili u ekzekutua, sepse nuk pranoi yllin e kuq në kapelen e tij, apo kapiteni Reshat Stërmasi, shëmbull i qëndresës gjatë hetuesisë dhe gjyqit. Të tillë ishin me qindra si, nacionalistët dhe patriotët Thoma Orollogaj, Ferit Hysenbegasi, Ali Mena, Shazivar Islami, etj., që vdiqën në qelitë dhe burgjet e diktaturës.

Kujtojmë me dhimbje ata qindra të burgosur si, Suat Asllani, Ali Fortuzi, Haki Karapici, Selman Riza, Mithat Araniti, Abedin Nepravishta, Tahsim Spahiu, Dr.Isuf Hysenbegasi, Qerim Nasufi, Reshat Beqiri, Osman Kazazi etj., që u shkrinë dhe u tretën burgjeve. Gjithashtu, të njëjtin fat pësuan edhe të rinjtë antikomunistë si, Sami Kupi, Zihni Dervishi, Petrit Toto, Skënder Jenisheri, Bardhul Dindi, Viktor Dosti,. Tefik Gabrani, Skënder Dine, etj. Një vend të veçantë kanë zënë edhe gratë antikomuniste shqiptare si Musine Kokalari, Hava Golemi, Marte Doda, Rita Koka, Bardhe Gjonmarku, etj.

Secili nga burgjet dhe qelitë e diktaturës ka historikun e vet të dhimbshëm. Për Burgun e Burrelit, thuhej: “Burrel hyn e nuk del”. Ky burg ka qenë “garnizoni i kokave të mëdha”. Atje vdiqën me qindra patriotë, si Kristo Kirka, Estref Myftiu, Ethem Haxhiademi, Kol Rodhe, Kol Mjeda, Temo Shehu, Akile Tasi, Hivzi Kokalari, Dr. Kalivopuli, Koço Kote, Atif Golja, Xhevat Leskoviku, Xhevat Korça, që i dha fund jetës me grevë urie.

Vuajtën vite të gjata burgu, Abdulla Rami, Engjëll Çoba, Koço Tasi, Qazim Merlika, Mihal Zallari, Hysen Kruja, Ibrahim Biçaku, Bajram Pustina, Feta Butka, Ali Maliqi e qindra të tjerë.

Në Shkodër ishin hapur 8 burgje. Gjyqet ushtarake bënë kërdinë. U ekzekutuan Preng Cali, Cafo Beg Bushati, Qazim Bushati, Ndue Pali, Halit dhe Abdulla Kazazi, Gjysh Deda, Fari Rusi, Paulin Pali, Kol Prela, Riza Uruçi, e qindra të tjerë. Vdiqën në qeli Rasim Kazazi, Xhemal Juka, Pal Thani, Myzafer Pipa, Preng Kaçinari, etj, etj. Vuajtën vite të gjata burgu Ruzhdi Roi, Ethem Bakalli, Nino Kurti, Xhemal Quku, Arshi Pipa, Sami Repishti, Ndrekë Kakariqi, Eduart Marashi, Caf Jonuzi, etj, etj.

Në burgun dhe qelitë e Vlorës morën dënime kapitale familjet më të mëdha vlonjate si familjet Shar, Kokoshi, Gjon Zeneli e dhjetëra familje të tjera. Qazim Kokoshi, ish-komandant i Luftës së Vlorës më 1920, vdes në qelitë e burgut. Me qindra vuajtën burgjeve dhe kampeve shfarorëse; Engjëll Kokoshi, Abdurrahman Kreshpa, Tahir Hoxha, Meçan Hoxha, etj.

Po kështu në burgjet dhe qelitë e Korçës vuajtën dhe vdiqën qindra patriotë. U pushkatuan, sheh Qerim Devolli, Mehmet Babani, Muhamer Liço, Nexhip Lamçe e të tjerë. Vdiqën burgjeve Sami Dangëllia, Medi Qyteza, Hasan Xama, Selman Rakicka, etj. Vuajtën vite të gjata burgu Eshref Zagorçani, Skënder Stefollari, Niko Kirka, Petro Katro, Xhevat Agolli, Faik Selenica, Sako Meçe e qindra të tjerë.

Në Elbasan, u asgjësuan familje të mëdha me traditë patriotike. Varet në litar arsimtari Nezir Muzhaqi. Vuajtën vite të gjata burgu, Osman Bishqemi, Aqif Selimi, Avni Zhiti, Shaban Plaka, Petrit Shahini, Sali Doko e qindra të tjerë.

Burgu dhe qelitë në Kalanë e Gjirokastrës ishin ferr për gjithë Shqiëprinë e Jugut. U pushkatuan me gjyq ushtarak Selam Kërma, Ismail Haki Tatzati, Shefqet e Merqez Mustafaraj, Zenel Gjoleka, Alem Roshi, Namik Lesko, Surja Vasjari, Zenel Shehu e qindra të tjerë. Vuajtën gjatë në burg; Myfit Shehu, Lutfi Shehu, Asaf Selfo, Zylfo Daci, Hysni Pollo, Muhamet Hoxha, Lutfi Hysenaj, Fuat Kostreci, etj.

Burgjet dhe qelitë e Beratit dhe të Kuçovës janë dëshmi e trajtimit barbar nga regjimi komunist ndaj njerëzve të pafajshëm. Gjykata ushtarake me kryetar Zylyftar Veleshnjën dënoi me vdekje dhjetëra nacionalistë si, Namik Meqemeja, Resul Dollani, Hamit Myftiu, Muharrem Kamberi, Mustafa Myrtaj, Halit Morina, Taqfur Hasnedari, Rrapi Qerreti, Hilmi Hysi, Uran Filipi, Pjetër Gurakuqi, e dhjetëra të tjerë. Kuçova kujton me indinjatë ato ditë të zeza ku me procese të montuara u dënuan intelektualë dhe specialistë të naftës, ndër ta edhe drejtori i “AGIP”-it, Taras Koni, inxhinier Kanti dhe inxhinieri Paolo Soglioti, akuzuar si sabotatorë të puseve të naftës. Ndërsa inxhinieri Riza Alizoti u var në litar. Në Lushnje varet në litar profesori Fuat Kurti, vdesin në qeli e në burg Ramadan Zdrava, Maksut Zhiti, Irfan Vrioni, Qazim Lushnjaku, etj. Dënohen me burg të rëndë, Nexhip Zdrava, Stavri Cylaku, Kamber Dobrusha, Refik Çepele, Ilia Therreska, Jani Konomi, Qamil Sefa, etj.

– Çfarë është bërë deri tani me gjithë këto viktima të regjimit komunist?

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës me anë të dy rezolutave rekomandon dënimin e krimeve të komunizmit. Edhe Kuvendi i Shqipërisë, duke iu referuar Asamblesë së KE më 12.05.2006 nxori rezolutën për dënimin e krimeve të komunizmit në Shqipëri, por deri më sot ka mbetur në letër. Sa e rëndë paska qenë sfida e regjimit komunist! Akoma diktatori antihuman i Europës Lindore vazhdon të jetë Heroi i Popullit. Të tillë janë edhe shumë xhelatë të tjerë. Filmi dokumntar është një akuzë që i bëhet murtajës së ideologjisë komuniste. Pra dënimi i krimeve të komunizmit është një shërbim i madh që i bëhet edukimit demokratik të shoqërisë si prevenim për të mos rënë pre e utopive e demagogjive. E, pra, s’duhet të harrojmë! Veçanërisht ne shqiptarët. Kurrë të mos harrojmë atë diktaturë ç’njerëzore. Është thirrja që buçet nga kori i të pafajshmëve. Nderim për martirët. Respekt për disidentët.