Çfarë po ndodh| Protestat anti-Covid. Mijëra njerëz përleshen me policinë në disa vende europiane

Në Gjermani vijon vala e zemërimit kundër shtrëngimit të masave për menaxhimin e pandemisë. Mijëra qytetarë janë bashkuar në një marsh të heshtur në Berlin, duke u shprehur edhe kundër ligjit që i jep më shumë kompetenca qeverisë në vendimmarrjen për masat kufizuese.

Demonstrata u përshkallëzua në incidente dhe përleshje me policinë, dhjetëra persona përfunduan në pranga.

Gjermania hyri në një bllokim të pjesshëm njëmujor më 2 nëntor. Teatrot, kinematë dhe qendrat rekreative publike duhet të qëndrojnë të mbyllura, ndërsa kufizime të reja janë vendosur edhe për kontaktet shoqërore.

Protesta të dhunshme këtë të diel, pati edhe në Britaninë e Madhe. Disa persona janë arrestuar në Liverpul. Qytetarët kundërshtojnë ashpërsimin e masave duke i quajtur ato diktaturë.

Në Paris e qytete të tjera franceze po ashtu vijuan tensionet ndërsa besimtarët katolikë kërkojnë hapjen e kishave.

Ndërkohë në Italinë fqinje, disa qytetarë shprehen kundër të dëgjuarit dhe bisedave për pandeminë.

“Qëllimi ynë nuk është që të tregohemi indiferentë ndaj asaj që po e jetojmë të gjithë por thjesht duam që klientët tanë të kenë një moment qetësie sepse për muaj të tërë po flasim për të njëjtën gjë dhe mendojmë se duhet ta përballojmë me qetësi dhe buzëqeshje. ”

Italia është një nga vendet që përjetoi izolimin më të ashpër kombëtar gjatë valës së parë të pandemisë.