Pse filozofi i madh francez Volter u dashurua pas figurës së Gjergj Kastrioti Skënderbeut?


Klodi Stralla

VOLTERIN – iluministin e madh frëng të shek.18-të mund ta kujtojmë në shumë mënyra në këtë 325 vjetor të lindjes të tij. Mund ta kujtojmë si dramaturg, eseist, filozof, historian e satirist, që shkroi më shumë se 20 mijë letra dhe mbi 2 mijë libra dhe pamflete, për të cilat disa herë u dënua me burgim ose mëgrim jashtë vendit.
Kësaj here po preferoj ta kujtoj si historianin që shkroi një Histori të përboteshme me titull “Ese mbi zakonet dhe shpirtin e kombeve” ku, një kapitull të veçantë ia kushtoi Heroit tonë kombëtar – SKËNDERBEUT.

“Një luftëtar tjetër i famshëm, të cilin nuk di si ta quaj, osmanli apo të krishter, pengoi përparimin e Muratit dhe prej kohësh u bë ledhi i të krishterëve kundër fitoreve të Muhametit II – flas për Skenderbeun, lindur në Shqipëri, pjesë e Epirit, vend i shquar që nga kohët e quajtura heroike, dhe nga kohët vërtet historike romake. Emri i tij ishte Jean (Gjergj) Kastrioti. Ishte djali i një despoti, ose i një gospodari (princi) të këtij vendi.

Gjergj Kastrioti ishte ende fëmijë kur Murati, shumë kohë përpara betejës së Varnës për të cilën do të flas, u mor prej Shqipërisë pas vdekjes së atit të tij Gjon Kastrioti. Ai e rriti këtë fëmijë, i vetmi që mbeti nga katër vëllezërit. Burimet turke nuk thonë asgjë që këta katër princër u therorizuan prej Muratit për hakmarrje. Nuk është për t’u habitur që mizori të tilla ishin në karakterin e një sulltani që abdikoi dy herë kurorën dhe nuk ka të ngjarë që Murati t’i kushtonte dhembshuri dhe besimin e tij atij për të cilin ushqente një mëri të paqetësueshme. Ai e sajdiste atë dhe e mbante pranë tij gjatë betejave. Gjergj Kastrioti u dallua aq tepër sa sulltani dhe jeniçerët i dhanë emrin Scanderbeg, që do të thotë Aleksandri i Madh.
Së fundi miqësia fitoi mbi politikën. Murati i besoi komandën e një ushtrie kundër despotit të Serbisë, që ishte radhitur me të krishterët duke i shpallur luftë sulltanit, dhëndërrit të tij; kjo përpara abdikimit të tij. Skenderbeu që në atë kohë s’ishte veçse njëzet vjeçar, sheshoi planin të mos kishte më zot mbi kokë dhe të mbretëronte.
Qëlloi të kalonte pranë fushimit të tij sekretari që mbante vulën e sulltanit. Ai e ndaloi, i vuri hekurat dhe e shtrëngoi të shkruante e të vuloste një urdhër për sundimtarin e Krujës, kryeqytet i Epirit, që t’ia dorëzonte qytetin dhe kështjellën Skenderbeut. Pasi siguroi urdhërin, e vrau sekretarin dhe suitën e tij. Më 1443 marshoi mbi Krujë; sundimtari ia lëshoi postin pa vështirësi. Po atë natë ai u tha trupave shqiptare me të cilët mbante lidhje të fshehta, të afroheshin. Sundimtarin dhe garnizonin e theri. Me luftëtarët e vet ai e fitoi gjithë Shqipërinë.

Shqiptarët mbahen si luftëtarët më të mirë të këtij vendi. Skënderbeu i udhëhoqi me zotësi dhe diti të krijonte avantazhe nga terreni i thyer dhe malor, aq sa me pak trupa ia doli të ndalonte çdo herë ushtritë e shumta turke. Moslemanët e shihnin si besëthyes; të krishterët e adhuronin si hero, i cili duke mashtruar armiqtë dhe zotërit e tij, rimori kurorën e babait të vet, ç’ka e meritoi me guximin e tij” (Kreu XC fq.814-815)