“Opozita me Presidentin bëjnë aleancë me COVID për të rrëzuar qeverinë”- Rama i përgjigjet Bashës

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas denoncimit të kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha se numri i viktimave që kanë humbur jetën nga COVID-19 është manipuluar nga autoritetet.
Rama thotë se ne nuk mund të jemi rasti unikal ku qeveria lufton kundër COVID dhe opozita bashkë me Presidentin të bëjnë aleancë me COVID-in për të rrëzuar qeverinë”.

Fotogratitë nga morgu i Tiranës, të cilat pushtuan mediat sociale ditën e djeshme, Rama i ka quajtur thjeshtë klandestine, duke theksuar se shpërndarja e tyre nuk është as demokratike dhe as shqiptare, por haptazi jonjerëzore.

Rama: Jam krenar se si ne kemi reaguar si popull në të dyja rastet. Qoftë në 26 nëntor, apo duke bërë edhe pjesën e sakrificës në përballje me virusin që po sprovon mbarë botën. Jam krenar si kryeministër se si forcat e shtetit dhe ato shëndetësore janë vënë në dispozicion të qytetarëve.

Jam i keqardhur që kjo dalje sot u provokua nga krejt e kundërta e karakterit të fortë që i ka karakterizuar shqiptarët në këtë përballje.

Një pakicë e zhurmshme qëndron mënjanë, shan, akuzon dhe lufton përditë në frontin e kësaj lufte nervash.

Nuk jam këtu për baltën dhe pështymën që marr përditë nga pakica e zhurmshme. Mua të sharat që më adresohen më bëjnë më të fortë dhe realisht me japin më shumë energji për t’i udhëhequr betejat tona në çdo fushë.

Në mes te një luftë mund të sfidohet edhe qeveria, por edhe ekspertiza, por nuk mundet që deri edhe Presidenti të krijojë komitetin alternativ edhe opozita gjithashtu, ku një komitet thotë që të mbahen maskat dhe një tjetër të thotë që qytetarët të shkojnë në kisha dhe xhamia të luten për largimin e qeverisë.

Ne nuk mund të jemi rasti unikal ku qeveria lufton kundër COVID dhe opozita bashkë me Presidentin të bëjnë aleancë me COVID-in për të rrëzuar qeverinë dhe duke shpërndarë fotografi klandestine nga morgu i spitalit. Nuk është as demokratike dhe as shqiptare, por haptazi jonjerëzore.