Flasin ekspertët | A ishte shkelje etike publikimi i fotove të viktimave të CoviD-19 nga morgu

Mbrëmjen e 20 nëntorit, media Syri.net publikoi një artikull me fotot e viktimave të koronavirusit, brenda morgut të kryeqytetit.

Pamjet ishin të rënda, ndërsa pas kësaj medie, media të tjera siguruan nga burimet e tyre këto foto që u shpërndanë në rrjet.

Pas këtyre raportimeve, u hap një debat publik mbi etikën e medias, nëse duheshin apo jo të publikoheshin këto foto, nëse ishte apo jo etike publikimi i këtyre fotove.

Opinioni publik ishte qartasi i ndarë në bindje politike, kjo edhe nga sfondi i ngjarjeve që çuan në publikimin e këtyre fotove.

Mbështetës të Partisë Socialiste, ishin kundër publikimit të këtyre fotove, dhe disa media nuk i publikuan, e kundërta ndodhi me mediat e tjera, i publikuan fotot.

Sfondi i këtij debati është se dy ditë më parë, kreu i opozitës, dhe kryetari i Partisë Demorkatike, Zoti. Lulzim Basha tha se qeveria ka fshehur numrin real të vdekjeve nga Covid-19 në vendin tonë, dhe siç pretendoi zoti.Basha, partia e tij ka prova për këtë gjë.

Pas regimit të zotit.Basha, reagoi menjëherë Soitali Infektiv ku drejtuesit e tij mohuan që diçka e tillë të jetë e vërtetë.

Më pas, edhe kreu i qeverisë, zoti.Edi Rama në një fjalim drejtuar popullit e mohoi një gjë të tillë.

Por çfarë thonë ekspertët?

A ishin shkelje e etikës gazetareske publikimi i fotove të viktimave nga Covid-19, një shkelje etike e gazetarit?

Më poshtë, mund të lexoni argumentet e plotë të gjithë ekspertëve të pyetur, nëse publikimi i fotove ishte një shkelje etike:

Koloreto Cukali/ Drejtues i Këshillit Shqiptar të Medias, ekspert komunikimi

“Do të ishte shkelje etike, nëse do të ishin publikuar fytyrat e viktimave. Por, fakti që kanë vënë vetëm foto të morgut, dhe nuk kanë nxjerrë individë, pra ne nuk i identifikojmë dot. Aty po ngrihet një problematikë sociale, i rëndësisë së madhe, fakti që nuk ka më hapësirë në morg, dhe dikush duhet të vihet përballë përgjegjësisë për këtë.  Këto foto ndihmojë për të kuptuar se çfarë po ndodh, në një kohë që nuk ka informacion zyrtar të besueshëm në lidhje me këto fakte, në këtë rast unë nuk e konsideroj shkelje etike.

Është interesi publik, dhe interesi i shëndetit publik, por meqënëse janë pamje të rëndë, ato gjithmonë duhen shënuar “Kujdes pamje të rënda!”. Këto janë lajme që duhen trajtuar. “

Zekirja Shabani/ Drejtues i medias Infokus, Kosovë. Ish-kreu i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës

“Gazetarët shpesh e gjejnë veten në pozita kur duhet t’i tregojnë publikut atë që publiku nuk do të preferonte të shihte. Askush nuk do të donte të shihte kufomat e më të afërmve të shtrirë për tokë pavarësisht vetëmohimit të punëtorëve shëndetësor në këtë kohë pandemie dhe heroizmit të tyre. Gjithnjë duhet të ketë një përgjegjës për kujdesin ndaj secilit qytetarë deri në banesën e fundit dhe për këtë media është përgjegjëse të mbaj përgjegjës zyrtarët dhe institucionet për obligimet që kanë marrë përsipër. Publikimi i imazheve të ngjashme, në pjesë të ndryshme të botës, nuk është e pazakontë në medie ndërkombëtare. Ka me dhjetëra raste kur fuqia e forografisë në interes të publikut tejkalon kërkesat e institucioneve për mos publikim të tyre. Të tilla duhet të shihen edhe fotografitë e publikuara nga morgu i stërmbushur, deri në momentin e ndërhyrjes së politikës dhe shfrytëzimi i tyre politikisht. Por, nëse dikush i sheh si imazhe të punës së institucioneve kompetente, të cilët si të gjallët ashtu dhe të vdekurit duhet t’i trajtoj dinjitetshëm, nuk mund të fajësohet media.”

Elvin Luku/ Drejtues i Qendrës MediaLol.al, pedagog i komunikimit

“Në gjykimin tim çdo analizë mbi etikën bëhet në baze të një konteksti të caktuar dhe situata aktuale është e tillë ku ka një informacion tepër të kontrolluar dhe rrjedhimisht të dyshimtë mbi saktësinë e statistikave që publikohen. Në rastin konkret publikimi i fotove të kufomave të mbuluara nga mediat që i kanë transmetuar si ekskluzive, nëse i kanë të verifikuara më parë që fotot janë autentike dhe të pamanipuluara, nuk kanë asnjë problem etik. Përkundrazi! Ato pamje tregojnë së pari, që situate është e komplikuar dhe e vështirë për tu menaxhuar nga institucionet sikurse po ndodh në shumë vende të botës dhe jo sikurse propagandohet, dhe, së dyti, ndikojnë për ndërgjegjësimin më të madh të qytetarëve, veçanërisht te ata që tregojnë pakujdesi për veten dhe rrethin shoqëror.

Duhet të kujtojmë që roli i medias nuk është të publikoj informacione që merr vetëm nga burimet qeveritare sikurse po ndodh masivisht, por është pikërisht të evidentojë dhe të bëjë transparencë mbi atë që fshihet nga autoritetet, aty gjendet e vërteta.

Nuk di të them në raste pandemish, por në raste luftërash, eksperienca botërore ka dëshmuar se janë publikuar pamje edhe më të rënda se kaq. Sigurisht, duke patur një lloj konsensusi të gjerë ne rrethin mediatik e gjeopolitik, si ndodhi në rastin e luftës së Kosovës ku publikimi bruto i pamjeve të rënda, me fytyra të pambuluara ndodhi pikërisht për të sensibilizuar mbarë opinionin publik. botëror mbi atë masakër dhe akte brutale vrasjesh e përdhunimesh që ndodhnin në këtë vend. “

Valmora Gogo, Gazetare, drejtuese e medies online Gogo.al

“Publikimi i fotove të morgut polarizoi shoqërinë dhe relativizoi me sukses denoncimin e fortë të opozitës mbi fshehjen e numrit të viktimave nga qeveria. Para se të gëlltisim politikisht një produkt, do na duhet ta gëlltisim si njerëz. Dhe aty, te njeriu tmerrohemi se si ka njerëz, media, kanale që janë po kaq kanibale sa fotot. Kush e njeh gazetarinë e di. Kush njeh efektet e mesazheve e di edhe më mirë. Kush njeh elektoratin gri, akoma dhe më shumë”

Lavdrim Lita/ ekspert komunikimi

“Në kushtet e një ngjarje të pazakontë, siç është Pandemia dhe përgjigja më instrumente të zakonshme siç janë spitalet covid – FOTOT e morgut plot me viktima janë dëshmi për një betejë të humbur për ditë. Botimi i fotove të qytetarëve të pajetë, në qefin të bardhë, kam bindjen se janë brenda kornizave të etikës së punës në media përderisa verifikohen se nuk janë fake. Në foto nuk ka emra të viktimave, as numra identifikues, as foto fytyrës apo gjymtyrëve. Ka një fotografim të realiteti që nuk na pëlqen. Përshëmbull, për krahasim, çështja e fotove të torturave të burgut në Abu Graib në Irak, ishte etike apo jo etike botimi i fytyrave të viktimave? Mendoj se media vlerësuan të jepnin të vërtetën. Është e pashmangshme për një gazetar përballja me një gjëndje faktike të godinave spitalore jashtë kapaciteteve tona. Nga ana tjetër, më shumë se opozitës për të vërtetuar rritjen e numrit të vdekjeve nga covid19, botimi i fotove “ndihmon” në fakt qeverinë për të sensibilizuar më shumë, më fort një pjesë të shoqërisë tonë që nuk besojnë se ka një pandemi, apo neglizhojnë masat më minimale, siç është mbajtja e maskave në ambiente të mbyllura apo respektimi i distancës fizike në grumbullime.”

Isa Myzyraj/ HistoriaIme