Astrit Lulushi – Liria, trashëgimi me vlerë

Astrit Lulushi

Mbrojnë karierën duke shkelur mbi trupa e kufoma. Nuk u ka mbetur mënyrë tjetër për të triumfuar. Sa fatkeqësi, kur faji nuk pranohet! “Diplomatët” komisarë të PPSh-së nuk reformohen, as shypi gjoja i lirë, por vazhdojnë të helmojnë brezin e ri me shkrime e libra me lavdi të rreme të përgjakur nga koha kur të gjitha ministritë, e Jashtme, e Brendshme, Sigurimi i Shtetit, çonin ujë në të njëjtin mulli, PPSh, ku bluhej mielli i bukës së hidhur. Hidhërimi vazhdon, kur lexohen këto bëma që paraqiten si bukë e ëmbël; Qeveria ushqen popullin me lugën e saj të ndryshkur; me ideologji kovid-komunizmi; e ardhmja i përket virusit global. Me polici e masa gjobe e arresti, frenohet sot çdo kundërshtim e pakënaqësi, njësoj si dikur kur me frikë e burgime shuheshin zërat e atyre që mendonin ndryshe. Sa pak dallim. Sa shumë të ngjashëm. Me vetë-izolimin sot sikur pajtohen dhe për këtë vendi krenohet; banorëve u thuhet të mos lëvizin se askush nuk i pranon; kufijtë mbyllen. Vendi mbetet ishull.
Dhe nga frika, njeriu duket se ka ende keqardhje për shpirtin e varfër të mjerë dhe të ndrojtur, i cili është tepër zemërgjerë për t’i rezistuar shtypësve të tij. Ai këndon këngën e të mallkuarit: “Unë nuk mund të luftoj përsëri; Kam shumë për të humbur; Kam shumë pronë; Unë kam punuar shumë për të marrë atë që kam; Ata do të më heqin nga biznesi nëse rezistoj; Unë mund të shkoj në burg; Unë kam familjen time për të menduar.” Krijesa të tilla të varfra të mjerueshme kanë vlera të gabuara dhe fshehin frikën prapa përgjegjësisë së pretenduar – duke refuzuar verbërisht të shohin se trashëgimia më e lavdishme që dikush mund t’i lërë pasardhësve është liria; dhe se e vetmja siguri e vërtetë është liria.