Në Rinas i mbajnë arbitrarisht dhuratat, në Frankfurt e kontrollojnë në trup sepse vjen nga Tirana

Vizitorit të padëshirueshëm, në TIA i mbajnë arbitrarisht dhuratat, në Frankfurt e kontrollojnë në trup sepse vjen nga Tirana; vetëm në Washington i thonë “Welcome!” dhe ndjehet i lehtësuar.

Nga Astrit Lulushi

-Mos u fut pa rradhë?!
-Rradha jote është?, erdhi përgjigjia. E re ishte. Shoqëronte të atin, i cili me siguri e kishte mësuar të ndërhynte, duke menduar se e edukonte. Por si? A nuk ishte marrja e përgjegjësisë për pronën që e shtyu një regjim të bëhej vjedhës e vrasës. Kolektivizmi ishte rezultativ për ‘ta. Dhe kjo ndjenjë trashëgohet edhe pse njeriu ka 30 vjet i liriua nga dora e rëndë përçarëse e ndyrë, apo nga përgjimet e informatorëve e nga shefat me kollare nëpër zyrat e errëta të bodrumeve.
Metoda të ngjashme më të stërholluara shteti më shumë i friksuar se i frikshëm praktikon edhe sot.
Nisur nga Washington DC, çdo gjë shkoi mirë. Mbërrin në TIA. Çudia e parë është kalimi në dushin “dezinfektant”. Kjo nuk ndodh në asnjë vend të botës, përveç aty ku burgjet e kampet e përqëndrimit kanë qenë më të shumta dhe prekja nga “ideologjia borgjeze” ndalohej. Pastaj qëndrimi para policit që mban në duar pasaportën dhe për 10 minuta qëndron me sy të ngulura në faqen e parë, aty ku është fotografia, dhe pastaj vrazhdë thotë:
-Hiqe maskën!
-Pse?
-Për identifikim.
-Po virusi?!
-Hiqe, të thashë!
U tremb, urdhëri ishte i prerë.
Në kthim, një shenjë dixhitalizuese e pakuptueshme e vendosur diku në pasaportë nga punonjësit në TIA krijon shqetësim gjatë gjithë udhëtimit. Vizitorit të padëshirueshëm, në TIA i mbajnë arbitrarisht dhuratat, në Frankfurt e kontrollojnë në trup sepse vjen nga Tirana; vetëm në Washington i thonë “Welcome!” dhe ndjehet i lehtësuar.