Lëvizje e re e “Xhaketave” të vjetra

Nga Paulin Paplekaj*

Pakkush e kujton një model xhakete, që përdorej në kohën e fukarallëkut të madh në kohën e monizmit e që vishej në të dy krahët, mbarë e mbrapsht.
Në fakt, askush nuk arrinte të bënte dallimin se cila anë ishte e mbara dhe cila e mbrapshta, por që krijohej një perceptim në bazë të vjetërsisë që shenjat e kohës linin në njërin krah, atë më të përdorshmin e xhaketës.

M’u kujtua ai model xhakete, kur pashë mbrëmë Jozefina Topallin, teksa doli të shpaloste një “Lëvizje të re” në politikën shqiptare.

Pyetja që më erdhi natyrshëm ishte:
A ishte deri tani zonja Topalli e mbarë në politikë, dhe vendosi të kthehet kah e mbrapshta, apo e anasjellta e kësaj pyetje?! Sepse sjellja politike e zj.Topalli nuk len asnjë shteg, me devulgue risi të tjera përtej këtij përcaktimi.

Për t’i dhënë një përgjigje të drejtë (aq sa është e mundur) kësaj pyetje (e që, gjithsesi s’mund të jetë shterruese), sjellja politike e zj. Topalli, nuk duhet parë si e fragmentuar jashtë subjektit politik ku ajo ka aderuar deri më tani. Pra, është domosdoshmëri analiza në mënyrë empirike qoftë edhe tangent, e lindjes dhe zhvillimit të Partisë Demokratike, kontributit dhe influencës së udhëheqësit historik të saj dhe sjellja politike e aktorëve ma të randësishëm të partisë, në veçanti të Zj. Topalli meqë është edhe subjekt i këtij shkrimi.

Meqë në zhargonin e përditshëm të fjalorit politik, politikbërsve u pëlqen t’i quajnë subjektet politike “familje politike”, po e nis reflektimin tim pikërisht nga ky këndvështrim, duke e krahasuar më mënyrë metaforike partinë, me familjet patriarkale të shqiptare.

Për afro gjysëm shekulli, familja e madhe politike e komunistëve, kishin “Zot shtëpie”, por edhe “Zot” të qiellit tyre Enver Hoxhën. Të zezat dhe mjerimin që i solli popullit kjo familje politike, nuk është e nevojshme të renditen këtu, pasiqë ato dihen tashmë nga të gjithë.

Themelimi i Partisë Demokratike në dhjetor të 1990, ngjan pak a shumë me ndarjen e një familje patriarkale shqiptare, ku disa bij të familjes, vendosin me u nda nga familja “me dalë tym në vete”, për nje jetë ma të mirë.

Dikush do thotë se Partinë Demokratike e themeluan studentët por që u rrëmbye nga intelektualët, dikush tjetër do thotë se u themelua në zbatim të direktivave të Katovicës, të tjerë do thonë se lindi si shpresë lirie për shqiptarët etj. Sigurisht që çdo version duhet mirëkuptuar dhe meriton analizë, por e gjej me vend të merremi me pasojat, ndaj po vazhdoj me analizën metaforike.

Çdo familje patriarkale, kalon në tre etapa: Bashkëjetesë e vëllezërve nan drejtimin e të “Zotit të shtëpisë”, bashkëjetesë me bijtë, dhe bashkëjetesë me nipat. Mbandej familja shuhet ose coptohet. Ndodh krejt rrallë të ripërtërihet.

Familja politike e demokratëve, duhet parë pikërisht nëpërmjet këtyre tre etapave, në mënyrë që të formësojmë mendimin e drejtë se ç’ka po ndodhë me këtë familje politike.

Po shuhet?! Po coptohet?! Apo ka shpresa për ripërtëritje?!
Etapat nëpërmjet të cilave ka kaluar familja e demokratëve, janë: 1990-1996; 1996-2005 dhe 2005-2013. Nga viti 2013 e në vazhdim, le të themi, familja e demokratëvëve është në stanjacion… Po pret se cfarë do ndodhë…

Në periudhën (etapën) e parë (1990-1996), bashkësia e vëllezërve të shkëputun nga familja amë e komunistave, zgjodhën për “Zot shtëpie” Sali Berishën. “VËLLEZËRIT” kapriçoz komunista e bijë komunistash përdorën të gjitha mënyrat me i marrë “Zot-shtëpllekun” Sali Berishës, por nuk arritën. Sot ata janë “Ikëardhës”, që presin te dera e familjes politike, për të lëpi ndonjë kockë nëse u lihet. Afrohen ashtu si qenë të rrahur, dhe pranojnë të lehin apo ti turren cilido që i ndërsen udhëheqja.

Në periudhën e dytë 1996-2005, në skenën politike të familjes, “lindën” BIJTË. Ndryshe me çka ndodhë në familjet patriarkale, që bijtë vijnë në jetë me vullnet të Zotit, në familjen politike të demokratëve, bijtë erdhën me vullnetin e të “Zotit të shtëpisë”.

Absolutisht ishte vetëm Sali Berisha që i ofronte, i largonte, i rriste, i zvogëlonte, i errësonte i ndriçonte…

Për kategorinë e bijve, Sali Berisha ishte Baba! Ishte autoriteti i padiskutueshëm ndaj të cilit thjesht duhej demostruar bindje dhe besim pa kushte. Sali Berisha ishte Mrizmadhi, ku ata rriteshin nën hijen e tij, por ishte edhe dielli përvëlues, kur ata lëshonin lozë përtej hijes së tij. Sali Berisha Ishte thjesht ZOTI! Pikërisht në këtë kategori, erdhi u rrit, u formësue karakteri i znj. Topalli, për të cilën do flasim më pas.

Në periudhën e tretë (2005-20013) në familjen e demokratëve “erdhën në jetë” nipërit. Për gjyshërit, nipërit janë “mjalti i mjaltit”. “I Zoti i shtëpisë” së demokratëve, duke qenë se u bë edhe “Zot shtëpie” për krejt Shqipërinë, ridimensionoi komplet sjelljen ndaj kategorisë së nipërve, aq sa me plot gojën mund të themi se i llastoi ata.

E pikërisht në këtë kategori është Lulzim Basha.

Mbas hubjes së pushtetit politik të familjes së demokratëve, “I Zoti i shtëpisë”, mori gjithë përgjegjësinë e humbjes, dhe u tërhoq nga “Zot-shtëpillëku” në pozicionin komod prej gjyshi.

Asnjë nga “Vëllezërit”, asnjë nga “Bijtë” e familjes së demokratëve, nuk shprehu asnjë fjalë për të mbajtë një grimë përgjegjësie për humbjen fatale të 2013, por u turrën si hienat për të marrë pozicionin e të “Zotit të shtëpisë” së demokratëve.

Kësisoj Sali Berisha përcaktoi pasuesin e tij nga kategoria e “nipërve”, anipse i LLASTUAR, por ama kishte shpresën se do burrërohej ndonjë ditë. Askush ma shumë se Sali Berisha nuk jeton me trishtimin që i përcjell shprehja: “Mosrealizimi si bir, asht edhe dështimi si prind”, kur sheh se sa keq u shkërmoq familja e tij e demokratëve, nën drejtimin e Lulzim Bashës.

Askush ma mirë se Sali Berisha, nuk e njeh karakterin e “Vëllezërve” rrakitikë komunistë që bashkëjetuan me të në familjen e demokratëve. Askush ma mirë se Sali Berisha nuk e njeh karakterin e “Bijëve” të rritun në hije, pse jo edhe të dhunuem psikologjikisht nga autoriteti i “Babës”, apo më keq akoma të infektuem randë nga sindroma e mazohizmit, dhe që janë rrezik potencial për t’u kthyer në sadist, nëse u jepet leja e drejtimit.

Zonjës Topalli nuk i është dhanë leje as të pretendojë pozicionin e Kryetares së Partisë Demokratike, dhe as të themelojë parti të re, dhe kjo u pa dukshëm gjatë fjalimit të saj dje para studentëve.

Për t’u kthyer tek përgjigjia e pyetjes që shtruam që në krye të herës, (nëse ishte deri tani zonja Topalli e mbarë në politikë, dhe vendosi të kthehet kah e mbrapshta, apo e anasjellta e kësaj pyetje?!) mendoj që në stilin e politikëbërjes që ka zgjedh zj. Topalli, deri tani ka qenë e mbarë në politikë, sepse i ka shërbyer me devotshëri “Babës” politik.

Znj. Topalli tash po kthehet kah e mbrapshta. Pse?

Sepse kur znj. Topalli ish kah e “mbara”, nuk bëri asgjë për shtresën e ish të persekutuarve politikë, shtresën e antikomunistave prej nga vinte edhe vetë si prurje.

Jo vetëm nuk vuri veton që të rritej numri i përfaqësuesve të kësaj shtrese në rradhët e deputetëve të Partisë Demokratike, por edhe nuk ndërmori asnjë nisëm ligjore për dënimin e krimeve të komunizmit dhe miratimin e ligjit të lustracionit. Shtresa shoqërore prej nga vjen zj. Topalli, edhe pse ajo qëndroi tetë vite kryetare e legjislativit, ende sot nuk është kompensuar për të gjitha vuajtjet që pësuan në sistemin politik më gjakatar që njohu Europa.
Atëherë, pse duhet t’i besojë më kjo shtresë shoqërore znj. Topalli?! (nisëm e dështuar.)

Kur zonja Topalli ish kah e “mbara” nuk u përfundua procesi i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të ish-pronarëve të vjetër. Përkundrazi gjatë kohës që znj. Topalli kryesonte legjislativin, u miratuan më shumë se tre ligje antikushtetuese, dhe që u shpallën si të tilla nga Gjykata Kushtetuese, dhe Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, thjesht “xhironte bosh”, pa zgjidhur pothuajse asnjë kërkesë të një prej shtresave shoqërore më mbështëtëse të Partisë Demokratike.

E pse duhet të ketë besim edhe kjo shtresë shoqërore te znj. Topalli, tash që ka vendos të kthehet kah e “mbrapshta”?! (nisëm e dështuar.)

Kur znj. Topalli ish kah e “mbara”, nuk u ndërmor asnjë nisëm ligjore për rregullimin dhe pastrimin e pushtetit gjyqësor, nga të korruptuarit që përkojnë ma së shumti edhe me ish-zyrtarë të Sigurimit të Shtetit dhe Partisë së Punës. Përkundrazi! Në Kuvendin e Shqipërisë u votuan disa individë që ishin jo vetëm me rekorde kriminale, çka rezultuan më pas, por edhe me lidhje të forta me sistemin e kaluar.

Atëherë pse duhet që trupa e juristëve të sistemit të drejtësisë, apo edhe qytetarët e thjeshtë të cilëve u janë mohuar të drejtat, të kenë besim tani te znj. Topalli?! (nisëm e dështuar.)

Kur znj. Topalli, ishte kah e “mbara’ në kupolën e Partisë Demokratike, nuk mbështeti të rinjtë e Forumit Rinor (FRPD), që vinin si pinjollë të shtresës së antikomunistëve, të persekutuarve dhe ish-pronarëve, dhe që ishin shumicë cilësuese në FRPD, por lejoi madje e mbështeti gjatë gjithë kohës, emërimin e nipit të Dashnor Mamaqit në krye të Forumit.

Atëherë, si mund të presë mbështetje znj. Topalli nga kjo kategori politikanësh të rinj, të pakonsumuar me pushtet, të pjekur politikisht e mbi të gjitha me vizion të qartë rreth së ardhmes së këtij vendi?! (nisëm e dështuar.)

Zonja Topalli është kah e MBRAPSHTA, edhe se ka tash shtatë vite, që nuk ndërmerr nisëm politike, por kujtohet atëherë kur nuk e mirëkupton ma askush.

Ndoshta Zonja Topalli ka marrë leje me pretekstin se do i bashkohet një lëvizje, thjesht për të siguruar pozicionin e deputetes, me shpresën se PD do humbë, e mbrapa do i lindë e drejta për ta synuar pozicionin e Kryetarit të Partisë, por edhe me këtë nisëm, mendoj se është gabuar. Sepse kur e marrin në dorë drejtimin “nipërit”, “bijve” u ka humbur përfundimisht mundësia për ta rikthyer mbrapsht historinë.

Fjalimi i djeshëm i Zj. Topalli, nuk ishte për të rinjtë që i kishte thirrur aty, apo aq më pak për shqiptarët. Ai ngjante si një letër-lutje, drejtuar Sali Berishës, i përçuar krejtësisht nga ndjenja e pranimit të fajit, për shkak të sjelljes saj kapricoze gjatë kësaj kohe.

Zonja Topalli e nisi dje fjalimin e saj me një të pavërtetë, dhe ajo e din këtë. Ajo u shpreh:
“Jam ndjerë e emocionuar kur një grup të rinjsh më ftuan të ishim bashkë për një kauzë të fortë e patriotike. Kisha kohë që bëja thirrje e shpresoja që dikush një ditë të niste një iniciative e të merrte frenat e një levizje për ndryshim. (…)”

As më injorantin e kësaj shoqërie, s’mund ta bindë dot znj. Topalli, se kjo është një lëvizje e një grupi të rinjsh që e kanë ftuar znj. Topalli, pasi vetë të rinjtë në diskutimet e tyre dinjitoze proklamonin se i ishin bashkuar atij vokacioni të thirrur. E për më tepër znj. Topalli nuk mori rolin e një mbështetësje të nismës, por mori rolin e udhëheqjes së saj. Kjo ngjan më tepër një tentativë për t’u shfajësuar tek Sali Berisha, i cili e kupton edhe me mbas koke, në mos ia pastë shkruar ai vetë fjalimin.

Po ashtu, nuk është i vërtetë fakti se znj. Topalli paska insistuar prej kohësh me thirrje që dikush të ndërmerrte nisma. E kundërta është e vërtetë. Në vitin 2017, palca e figurave të Partisë Demokratike, u mblodhën në një lëvizje për ndryshim, dhe të gjithë ishin të mendimit që znj. Topalli mund ta drejtonte atë lëvizje. Por Jo!

Zonja Topalli na braktisi të gjithëve, na la në rrugë, sepse nuk e kishte miratuar LEJEN nga “Baba” politik. Nga ana tjetër, ka disa nisma të tjera të ndërmarra brenda së djathtës, dhe nuk është inisiativa e znj. Topalli e vetmja dhe e para në spektrin politik të së djathtës.

Një tjetër e vërtetë trishtuese është fakti se këto “xhaketa të vjetra” të politikës majtas e djathtas, nuk lënë mundësi nisme pa djegur. Ashtu veproi edhe Gjergj Bojaxhi, ashtu veproi Ben Blushi, ashtu po vepron Jozefina Topalli.

Në fjalimin e djeshëm, Zj. Topalli, vazhdonte të këmbëngulte se problemi i këtij vendi janë vetëm tre persona: Edi Rama,Ilir Meta dhe Lulzim Basha. Në këndvështrimin tim, dy të parët, janë FATËKEQËSIA E KËTIJ VENDI, ndërsa problemi i vërtetë është mosmarrja vesh ndërmjet njëri-tjetrit të Sali Berishës, Jozefina Topallit dhe Lulzim Bashës, çka ka sjellë si pasojë që kanceri Rama-Meta, të vazhdojnë të vrasin të ardhmen e këtij vendi.

Krejt fjalimi i znj. Topalli, përçohej nga frika… Ajo thoshte: Mos keni frikë, mos keni frikë, mos keni frikë!!!.

Zonja Topalli nuk din edhe ma minimalen, që studentët dhe brezi i ri nuk kanë frikë. Është znj. Topalli që ndihet tejet e fikësuar, edhe pse e ka marrë lejen me folë.

Një shprehje e popullit thotë:
“Baba i mirë i len fëmijët budallë”.

E bash kjo i ka ndodhë Sali Berishës, i cili është marrë me çdo gjë vetë, dhe nuk ka lejue me u rritë nëpërmjet vështirësish e garash, “bijtë e tij”.

E “nipërit’ e llastuar, s’po bëhen burra. Ndaj edhe Sali Berisha, sot është në zor e mbi zor. Sepse nuk është i sigurtë për fatin e familjes së tij politike, nëse do SHUHET, COPTOHET, APO RIPËRTËRIHET.

*V.O. (Kam shkruar në gjuhën standarte, me shpresën se do e publikojë ndokush shkrimin )

Tiranë më 29 tetor 2020.