Shqipëria drejt karantinës/ Nis plani i dytë i shtrëngimit të masave ndaj pandemisë

.

BESARTA BASHA/ Vendosen masat e para shtrënguese me mbërritjen e valës së dytë të infeksionit COVID-19. Duke ndjekur përvojën e shteteve të tjera, komiteti i ekspertëve ka vendosur të kyçë universitetet ende pa i hapur, si dhe të konsiderojë mbylljen e bareve dhe restoranteve në zonën e populluar të ishbllokut, duke e konsideruar një vatër të mundshme rreziku.

Duke komunikuar shifrat ditore në rritje të vazhdueshme prej dy javësh, kryetarja e Komitetit, Mira Rakacolli lajmëroi masa më të forta e madje edhe një karantinë të dytë, në rast se situata përkeqësohet më tej. “Është e nevojshme të kemi masa shtesë për të frenuar përhapjen më tej të infeksionit. Në këtë kuadër, Komiteti i Ekspertëve ka analizuar situatën, rrisqet me të cilat po përballemi për momentin, ka vlerësuar situatën në rajon dhe Europë e masat e marra dhe kemi vendosur unanimisht të propozojmë që universitetet të zhvillojnë vetëm mësim online, në distancë, pa prezencën fizike për të paktën një muaj. Auditorët dhe konviktet do të jenë të mbyllura deri në një moment të dytë. Njëkohësisht, po vlerësojmë mbylljen e bareve dhe kafeneve në zonën e bllokut në Tiranë, pas orës 22:00. Nëse nuk zbatojmë rregullat e vendosura rrezikojmë mbylljen që askush nuk e do”.

SITUATA NË SPITALE

Trendi në rritje i infektimeve përgjatë dy javëve të fundit në vendin tonë është një dukuri që ka prekur mbarë globin dhe sipas Rakacollit, nuk ka çuar në kolaps sistemin shëndetësor. Përkundrazi, shtrimet spitalore kanë shfaqur qëndrueshmëri edhe pse numri i rasteve të reja ka njohur rritje. “Situata në spitale paraqitet me një rritje të rasteve të qytetarëve të shtruar, por në dy javët e fundit ka pasur një qëndrueshmëri për sa i përket rasteve që kanë kërkuar trajtim në repartet e kujdesit intensiv”, deklaroi kryetarja e Komitetit të Ekspertëve duke folur për një incidencë infektimesh, 130 raste/100 mijë banorë. Por, duke qenë se kryeqyteti mban 1/3 e peshës së vatrave aktive, 35% nga 500 të tilla në të gjithë vendin, masat shtrënguese nisin prej aty. Me një gjuhë jo pak të ashpër, Rakacolli apeloi mbajtjen e maskës dhe respektimin e masave të tjera për të shmangur atë që askush nuk e do, mbylljen. “Secili prej nesh e ka akoma në dorë të frenojë përhapjen e epidemisë. Vendimi që kemi marrë për vendosjen e maskës së detyrueshme në të gjitha ambientet është një vendim i drejtë, i provuar për dobinë e tij. Le ta mbajmë maskën kudo që ajo është e rekomanduar që të evitojmë mbajtjen e maskës së oksigjenit më vonë. Bashkë me distancimin fizik dhe higjienën e duarve është mjeti më efikas për evitimin e infeksionit”. Testimet identifikuan dje 271 raste të reja, numri i të shtruarve s’ka kapur ende shifrën e 300-të, ndërsa në 24 orë u shënuan gjashtë humbje jete si pasojë e COVID-19.