“Shqiptarët ishin streha për hebrenjtë”- Majk Pompeo: Të ngremë zërin kundër Antisemitizmit

Sekretari Amerikan i Shtetit, Majk Pompeo në fjalën e tij në Forumin Ballkanik kundër Antisemitizmit ka falënderuar Shqipërinë dhe shqiptarët për mbështetjen që i ofruan hebrenjve.

Më tej Pompeo shtoi se duhet ngritur zëri kundër antisemitizmit dhe duhet gjetur mënyra për ta identifikuar dhe luftuar atë.

“Kam kënaqësinë të bashkohem me ju në këtë forum. Shqipëria është një mik i madh i SHBA. Pas luftës dhe holokaustit ishte vendi që ofroi një ndihmë të rrallë për hebrenjtë. Shqiptarët ishin streha për hebrenjtë, për t’i shpëtuar nazizmit. Ju shpëtuat jetë dhe iu dhatë edhe dokumente false për t’i shpëtuar. Nder për Shqipërinë dhe trashëgimin e tolerancën e saj. Ashtu siç reflektohet nga ky Kuvend që bashkon përpjekjet për të luftuar antisemitizmin.

Ne jemi këtu për të ngritur zërin kundër antisemitizmit. Së pari duhet ta identifikojmë këtë kërcënim dhe të gjejmë mënyrat për ta luftuar. Duhet të ketë një fushë të barabartë për të gjitha shtetet. Kemi parë një përhapje të antisemitizmit dhe kjo është shqetësuese. Le të garantojmë sigurinë e çdo personi, që ne të jetojmë krah për krah. Ju falënderoj shumë për këtë punë të shkëlqyer. Zoti e bekoftë Shqipërinë”, u shpreh Pompeo.