SHBA-BE sanksione Shqipërisë, si Iranit?



Nga Indrit Vokshi

Fjala diktator lidhet me pushtetin absolut. Në shtetin e Romës, para 2000 vitesh, parashikohej me ligj që në situata të emergjencës apo krizave i jepej pushtet i plotë e absolut një personi, ky person quhej diktator. Ligjërisht, diktatori nuk ishte më diktator ose pasi i arrinte qëllimet dhe detyrat për kryerjen e të cilave ishte shpallur diktator ose pasi kalonin gjashtë muaj. Mandati i diktatorit i ndërpritej në mënyrë që diktatori të mos kthehej në kërcënim për shtetin dhe popullin. Pra qysh se kanë lindur shtetet, njerëzimi jeton me shqetësimin se pushteti i plotë, absolut e diktatorial i një personi, kthehet në rrezik për atë vend e për atë popull.

Të frymëzuar prej këtij shqetësimi, ideologët e shtetit përpunuan teori pas teorie deri sa mbërritën tek modeli i ndarjes së pushteteve. Tek modeli ku pushtetet si parlamenti, qeveria dhe gjykatat funksionojnë të pavarura nga njëri-tjetri por kontrollojnë dhe balancojnë njëri-tjetrin. Kjo me qëllimin që një person i vetëm të mos mundet ta nënshtrojë shtetin nën këmbët e veta.

Prej vitit 1991 në Shqipëri u proklamua projekti që parashikonte se shteti i Shqipërisë do të kapërcente e të transformohej nga shtet diktatorial në shtet demokratik ku pushtetet jetojnë në autonomi. Ambasadorët e huaj (veçanërisht i SHBA) dhe Bashkimi Europian i njohën vetes rol në ketë projekt.

Përmes këtij projekti, ambasadorët dhe SHBA-BE, fituan edhe legjitimitet në sytë e shqiptarëve, kjo sepse shqiptarët menduan se këta janë të interesuar për demokraci dhe për ndarje pushtetesh, këta investojnë për drejtësi dhe zhvillim.

Sot ambasadorët dhe BE gjenden përballë një situate ku një person është kthyer në diktator të Shqipërisë. Ai ka parlamentin, qeverinë, gjykatat, bashkitë, prokurorinë, policinë, median etj. Nuk i ka marrë me mandat ligjor si diktatorët romakë Sulla dhe Jul Cezari por i ka marrë me komplot kundër shtetit. I ka marrë në bashkëpunim edhe me ambasadorët e BE dhe SHBA, me ata të cilët në mëngjes na flisnin për demokraci, drejtësi, ndarje pushtetesh, zhvillim, ndërsa në darkë dakordsoheshin me Edi Ramën për të nxjerrë jashtë funksionit gjykatat, për të mos dëshiruar konsensus me opozitën dhe për ta dorëzuar shtetin tek një diktator.

Sot diktatori ka dalë hapur kundër BE. Kur komisioneri i BE për zgjerimin apelon se duhet pritur opinioni i Komisionit të Venecias, diktatori deklaron se nuk e pret Komisionin, edhe pse Komisioni është trupë këshillimore në kuadër të Këshillit të Europës, organizatë ku Shqipëri është anëtare dhe kësisoji duhet ta presë opinionin, përderisa herë pas here i janë drejtuar Komisionit për opinion. Por jo, kur psiko-diktatori ka interes duhet t’i drejtohemi Venecias, kur nuk ka interes, nuk e presim Venecian. Diktatori ka grisur marrëveshjen e 5 qershorit, marrëveshje e ndërmjetësuar nga SHBA-BE dhe i ka diskretituar keqazi. Askush nuk ka besim tek ata sepse të gjithë mendojnë “i diskretitoi Edi Rama, nuk pyeti se ekzistojnë, ua firmosi marrëveshjen, pastaj ua grisi”.

Bashkimi Europian duhet të pyesë veten si mbërriti Shqipëria deri në ketë gjendje? Pse edhe pas miliona eurove të investuara “për demokracinë në Shqipëri”, edhe pas investimit të energjisë dhe kohës së diplomatëve, Shqipëria mbetet pa gjykata në vend që t’i forconte gjykatat, mbetet pa parlament, pa bashki, pa prokurori, pa asgjë. Si ndodhi kjo?

Nëse e kanë lejuar vetë ata dhe janë dakord që Shqipëria të vazhdojë kështu, le të na thonë, le ta quajmë zyrtarisht “Diktator i mbështetur nga SHBA-BE”. Por nëse ata nuk janë dakord me diktaturën, duhet t’i vendosin sanksione regjimit të Edi Ramës njëlloj si Iranit. Pse sanksione? Me sanksione jepet mesazhi se BE nuk është pro diktaturës dhe diktatorit. Njerëzit në Shqipëri, qytetarë kalimtarë, sapo tu përmendësh se Rama është diktator, thonë “e mbështet Europa”. Ky është perceptimi. Sanksionet do ishin mesazhi se nuk e mbështet Europa.

Ato sanksione nuk do ishin “kundër Shqipërisë” siç mund të tentojë të thotë e të vetëmbrohet diktatori i cili synon të fshihet pas Shqipërisë duke e paraqitur si “sulm ndaj Shqipërisë” çdo kritikë ndaj tij (sëmundje e të gjithë diktatorëve). Diktatori nuk është Shqipëria. Ato do ishin sanksione kundër mafias. Dhe nëse BE ka qëllim ta luftojë mafien e cila e ka çmontuar shtetin shqiptar, mjafton të deklarojë “Nuk e mbështesim Ramën” dhe mafia thërrmohet. Sepse diktatura shqiptare luan me popullin duke përhapur mendimin “i mban BE”.