ADN politike e një sistemi të mbrapsht qeverisës

Nga Ermal Xhelilaj

Filozofia politike e këtij sistemi qeverisës konsiston në një çoroditje të organizuar me objektiva të sanksionuar qartë nga pikëpamja e strategjisë së organizmit e institucioneve shtetërore, menaxhimit të standarteve ekonomike e të nivelit të varfërisë në vend dhe, administrimit të problematikave madhore natyrore apo qëllimisht të induktuara. Në ndryshim nga partitë e majta europiane, sistemi i rilindjes, ky organizim i ri politik që në etnogjenez përmban elementë të PPSH por në thelb funksionon me objektiva të privatizuar e të sofistikuar të një biznesi familjaro-oligarkik, ka shkaktuar një rend të ri kaotik me pasoja të paparashikuara për sistemin e drejtësisë, nivelin ekonomiko-social kombëtar dhe, integrimin në organizmat euro-atlantik.

Ky rend i qëllimshëm anarkik i krijuar nga ky organizim sui generis politik në pushtet, ka krijuar premisat për asgjesimin e klasës së mesme ekonomike shqiptare, që në themel paralel me borxhin e paprecedent publik, neutralizimin e vendeve të punës dhe, impaktin negativ mbi biznesin e vogël e të mesëm, ka detyruar braktisjen e vendit nga kjo klasë ekonomike dhe të rinjtë shqiptarë. Ndoshta sistemi i rilindjes është rast unik në Europe, përjashtuar autokracitë me nuanca moniste, që një parti e krahut të majtë të shënjestroi qytetarët e klasës së varfër e të mesëm, duke i varfëruar në ekstrem dhe krijuar potencial për lindjen e një grupimi oligarkik të ndërlidhur e të koracuar nga sistemi qeverisës.

Mbi të gjitha, duhet të jetë objekt studimi në marrëdhëniet ndërkombëtare, ky organizim i majtë politik shqiptar në pushtet që në thelb promovon politika anti-sociale duke shfrytëzuar, penalizuar e taksuar në mënyrë ekstreme qytetarë e thjeshtë dhe fuqizuar ekonomikisht e politikisht një grupim njerëzish me lidhje në krimin e organizuar e narkotrafikun. Elementët e tjerë që karakterizon ky organizim i përqendruar politik me natyrë e qëllim rilindas siç është kapja e të gjitha pushteteve, korrupsioni galopant dhe shantazhi e propaganda e masave është e trashëguar she vazhdon të jetë në ADN e saj politike.