80 VITE me pare u inaugura Monumenti “Skënderbeu” në Romë, ne sheshin “Albania”

Nga Alba Kepi, Romë

Qe 27 tetori i vitit 1940 kur Benito Musolini në praninë e autoriteteve më të larta zyrtare të qytetit, përuroi në Romë Monumentin e Skënderbeut. Kronistët e kohës e komentojnë si një ditë vjeshte e shiu të fortë. Monumenti u vendos në atë që dikur quhej sheshi “Raudusculana”, emri i një porte antike të Mureve Serviane. Pak muaj më parë në 4 korrik të 1940, për të kujtuar aneksimin e Shqipërisë nga Mbretëria Italiane (më 16 prill 1939) ky shesh ndryshoi emër e u quajt Sheshi “Albania”. Gjendet në zemrën e Romës antike mes lagjes San Saba e Aventinos, një nga shtatë kodrat ku sipas legjendës u themelua qyteti i Romës. Monumenti i Skënderbeut u realizua nga fiorentini Romano Romanelli. Lindur më 14 maj të vitit 1882 në Firence, ky artist, mik i poetit Gabriele D’Annunzio, rridhte nga një familje me emër skulptorësh e i ati u bë dhe mësuesi i tij. Njëkohësisht Romanelli qe dhe një funksionar i lartë i Marinës Italiane e gjatë Luftës së Parë Botërore mbetet invalid. Aftësitë e tij artistike por dhe lidhjet me shtresën e lartë të politikës italiane të asaj kohe, i ngarkuan detyrën e realizmit të bustit të heroit Kombëtar të Shqipërisë, në kryeqytetin italian Romë, në sheshin me emrin e vendit fqinj dhe në një moment kaq të veçantë e historik për dy vendet.

Monumenti i Skënderbeut është realizuar mbi një grup bronzi i rëndë 35 kuintalë e paraqet Heroin tonë Kombëtar mbi kalin e tij të pandashëm, veshur nën armaturën e hekurt, me përkrenaren e shpatën gati për luftim. Guvernatorit të Romës (funksionari më i lartë administrativ i qytetit në epokën e fashizmit) iu kërkua që brenda pak kohe të siguronte bazamentin mbështetës të veprës ë Romanellit, tashmë i përfunduar e gati për inaugurim. Brenda 26 ditësh u sigurua piedestali i shndritshëm, i gurtë, i tipit travertino që peshonte rreth 75 kuintalë. Së bashku formojnë Monumentin e Skënderbeut në sheshin “Albania” ku më vitin 1968 me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, Komuna e Romës vendosi pllakën përkujtimore.

Ka objekte, ndertesa, e vepra arti qe pavaresisht kohes kur u ndertuan, kapercejne sistemin qe i financoj, e marrin vlere te shtuar ne historine e nje kombi e ne arkitekturen e nje qytetit….nuk jane kurre demode… e as te “vjeteruar” per t’u shembur.