Mbyllet faza e katërt e përzgjedhjes së 60 hetuesve të BKH

Byroja Kombëtare e Hetimit, e quajtur dhe FBI-ja shqiptare, ka mbyllur fazën e katërt të procesit të përzgjedhjes së kandidatëve për hetues në këtë strukturë. Mësohet se në fazën e fundit, Testi i Esesë, kanë kaluar 103 kandidatë, punimet e të cilëve janë vlerësuar nga një komision i caktuar.

Megjithatë, edhe pse kanë kaluar fazën e katërt, 103 kandidatët për hetues do të kalojnë dhe disa filtra të tjerë për 60 vende. Kanidatët që kanë kaluar Testin e Esesë do të intervistohen, do kalojnë në vetting, si dhe në makinën e së vërtetës (poligrafi).
Që të kualifikohen dhe të jenë një nga 60 hetuesit e BKH që do të dërgohen më pas për t’u trajnuar në bazën e FBI-së në Virginia, SHBA, kandidatët duhet të kalojnë të treja “sfidat” e mësipërme. Pra, duhet të kalojnë me sukses vettingun, poligrafin dhe intervistën. Në të kundërt, nëse nuk kalojnë një nga tre proceset, do të skualifikohen.
Hetuesit e BKH-së kanë përgjegjësinë të kryejnë hetime penale nën drejtimin e Prokurorëve të Posaçëm dhe kanë statusin e oficerit të policisë gjyqësore.