I dënuar për korrupsion, KLGJ përjashton nga sistemi i drejtësisë ish gjyqtarin e Apelit

Ish gjyqtari i Apelit në Tiranë, Shkëlqim Miri largohet përfundimisht nga sistemi i drejtësisë.

Ish magjsitrati, i dënuar më herët për korrupsion, është përjashtuar nga sistemi pas vendimit të para pak minutave të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Shkëlqim Miri u arrestua nëntorin e vitit 2017 për korrupsion, Gjykata e Krimeve të Rënda e dënoi me 2 vite e 8 muaj burg gjyqtarin e Apelit të Tiranës. Ndërkohë që Apeli vendosi që të ulë 8 muaj burg.

Shkëlqim Miri sipas gjykatës përfitoi 30 mijë euro ryshfet nëpërmjet Kujtim Mirit për të lënë në fuqi një vendim ndaj të dënuarit Gentian Doda,ç’ka do t’i sillte këtij të fundit lirinë.

Ish-gjyqtarit, në momentin e arrestimit, iu sekuestruan në banesë 34 milionë lekë, të cilat iu rikthyen pas deklaratës së tij se i kishte marrë nga të afërmit për tu kuruar nga tumori.