Hesapi i Ramës me BE nuk është hesapi i shqiptarëve!

Redaksionale

Edi Rama në vitin 2013 kishte një bast me veten dhe shqiptarët. Do të çelte negociatat me BE-në dhe do të ishte njeriu që do të hynte në historinë e Shqipërisë si kryeministri që futi vendin në BE. Turpshëm dështoi në 8 vjet megjithëse përdori çdo teknikë dhe taktikë manipulatori për t’i vetëhapur negociatat edhe kur ato ishin të mbyllura.

Kësaj loje të pisët me vetë-hapje dhe festa edhe ballo luksoze për çeljen e negociatave i erdhi fundi sidomos pas zgjedhjeve në Parlamentin Europian dhe vendosjes së Komisionerit të ri Varhelyi në krye të Komisionit të Zgjerimit të BE-së. Rama, e kuptoi se as vizitat e ambasadorit të BE-së apo pjesmarrja e tij në ballot qeveritare do të mund të bindnin shqiptarët se vendi qe integruar. Presioni i vazhdueshëm i BE-së dhe komisionerit shoqëruar me presionin e Gjermanisë karshi Ramës dhe qeverisë së tij nuk linin vend për dyshime.

Duket se paraja e lobizmit të shfrenuar të Ramës në çdo kënd kish hasur në një gozhdë të fortë. Në të vërtetë Rama deklaroi në verën e vitit 2020 se numri dy i CDU/CSU Ëadephul kish qenë dhe është miku i tij por se nuk flet më për kryeministrin. Zhgënjimi në atë fjalim ishte i qartë dje dhe bën më shumë sens sot. Rama i ndjerë i braktisur përpos gjermanëve në listpagesat e PS-së duket se kërkon një rrugë shpëtimi, atë të dhunës.

Njësoj si një fëmijë kapriçoz që kur nuk merr dot atë që dëshiron (ndonëse nuk i takon), Rama ka nisur të shqelmojë dhe godasë pa menduar dy herë miqtë e tij. Aq e dhunshme është kjo sjellje saqë edhe ai nuk po kursen askënd, madje as ato që deri dje mund të beshin copa për të. Akte të tilla të dhunshme dhe të padëgjuara kanë dërguar situatën e Shqipërisë në prag të një katastrofe nga pikëpamja gjeostrategjike.

Njeriu që në vitin 2014 kuronte veten për t’u dukur lideri rajonal në sytë e Gjermanisë dhe BE-së është kthyer sot në një kaçak që po godet duart që kanë ushqyer Shqipërinë. Me kryeneçësi dhe arrogancën e një njeriu pa din dhe pa iman ka nisur të kërcënojë dhe shpallë luftë karshi emisarëve të BE-së.

Natyrisht, aktet e tij janë dritëshkurtëra dhe aspak afat-gjata pasi armiqtë e tij sot janë në fakt armiqtë e PS-së nesër. Kjo e fundit nëse vazhdon të ecë nën gjurmët e Ramës do ta ketë të vështirë të pastrojë surratin e njollosur nga aktet e Ramës në krye të saj. Sidomos karshi injorimit të figurave qendrore të BE-së dhe CDU/CSU. Ajo që historia e Shqipërisë moderne post-komuniste na ka mësuar është se gjithçka që hidhet lartë do të bie poshtë, hera herës duke kapur fajtorin por jo rrallë edhe jo-fajtorin.

Shqipëria në BE është në të vërtetë një investim gjeostrategjik shumë i çmueshëm për partnerët dhe gjithë shqiptarët. Edi Rama mund t’ia hedhë madje dhe mund të kërcënojë njësoj si dikur Hoxha në takimet e internacionales. Por, nuk duhet të harrojë se rezultati i këtyre sjelljeve është një faturë që duhet ta paguajë ai dhe partia që përfaqëson edhe për shqitparët e thjeshtë.

Vendi jonë sot e kësaj dite po përfiton nga miliardat e kësaj BE-je që Rama sulmon dhe atakon drejtë për drejtë. Shqipëria është sot një vend që po shpëtohet nga ndarja me Maqedoninë e Veriut vetëm në sajë të ndihmës së BE dhe dashamirësisë së saj. Fatkeqësisht, hesapi i Ramës nuk është ai i shqiptarëve.

Shqiptarët janë ende në kohë për të kuptuar dhe vendosur. T’i lëmë hanxhiut Rama të paguajë faturën e plotë për hesapet e tij, duke frenuar çmendurinë e tij për të marrë hov dhe për të na ndarë sërishmi nga pragu i BE-së që po na pret.