Gerti Bogdani flet hapur: Anëtarsia e dha fjalën e vet në gjithë procesin e votimit që u bë në çdo qark.

Komisioni i Vlerësimit të Kandidaturave për deputetë të Partisë Demokratike skualifikoi pak ditë më parë disa emra të njohur partisë kryesore opozitare.

Mes emrave binin në sy prezenca e anëtares së Kryesisë së PD-së, Izmira Ulqinaku, por dhe figura të tjera si Ervin Salianji dhe Tritan Shehu.

I pyetur në lidhje me debatin e shkaktuar në selinë blu për këtë çështje, ish-deputeti Gerti Bogdani i ftuar në emisionin “Me Xhaxhiun” në Fax News, tha se kjo që nuk i heq shansin askujt për të qenë përfaqësues i PD-së.

Bogdani tha se është bërë një farë ndarje nga Komsioni i Vlerësimit, lista A dhe lista B, pas se kush do të shqyrtohet dhe kush do të kalojë menjëherë.

Këtë ndarje nga Komsioni i Vlerësimit ish-deputeti e ka konsideruar si jo të nevojshme, duke shtuar se gjithsesi kjo nuk e pengon procesin.

Xhaxhiu: Ka provokuar një debat brenda selisë tuaj këto ditë zgjedhja e kandidatëve, disa emra që mund të themi se janë edhe prodhimi bio i zotit Basha janë lënë jashtë. Cili mekanizëm nuk funksionoi që i nxori jashtë?

Bogdani: Fjala nxori jashtë ose eliminoi nuk qëndron. Për t’ju sqaruar juve dhe publikun, momenti i votimit nga antarsia ka qenë momenti përfundimtar i filtrimit të listave. Mbi këtë liste apo grup kandidatësh do të vendosin se kush do të jenë përfaqësuesit e PD-së. Ka pasur një farë ndarje lista A ose lista B kush e kalon menjëherë dhe kush do të rishqyrtohet, por jo përjashtim ose jo largim. Këtë e ka bërë komisioni i vlerësimit në këtë rast diçka që mund të mos kishte qenë e nevojshme, meqë po flasim hapur dhe ti themi gjërat siç janë. Por sidoqoftë është diçka që nuk e pengon procesin, diçka nuk e prish procesin dhe nuk i heq shansin askujt për të qenë përfaqësues i PD-së.

Xhaxhiu: Komisioni ka të drejtë të japë një shpjegim sepse refuzoi X apo Y?

Bogdani: Po patjetër që do të japë, do t’ja japë kryetarit të PD-së një shpjegim. Komisioni nuk ishte për këtë punë aty, pasi ishte anëtarësia ajo që duhet të thoshte nuk e dua Rezartin apo nuk e dua Gert Bogdanin. Anëtarsia e dha fjalën e vet në gjithë procesin e votimit që u bë në çdo qark.